Ka ndodhur

Zjarri në Kashar, ende asnjë gjurmë nga roja! Familjarët hedhin akuza

Kur nuk kanë kaluar 24 orë nga zjarri që përfshiu në flakë një magazinë te “Casa Italia”, pranë Kasharit, nuk ka asnjë gjurmë nga shefi i rojeve të sigurisë, Arjan Sula.

Ky i fundit u fut mes flakëve, duke u përpjekur që të shuante vatrën e zjarrit që kishte rënë në magazinën ku punonte.

Drejtori i Shërbimi Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj ka thënë se forcat zjarrfikëse, kanë arritur pas 15 orësh punë të neutralizojnë zjarrin e rënë.

Ndërkohë, babai i Arjanit, tregon me lot në sy, se telefonatën e fundit me të birin e kishte ditën e djeshme, ku ai sapo kishte marrë turnin e punës.

Ai ka bërë apel që të ndërhyhet me çdo mundësi për të kërkuar të birin që u fut brenda magazinë për të shuar flakët.

“Ka dy ditë që kërkoj djalin këtu brenda. Ti futet oksigjeni brenda. Çfarë është kjo është zjarrfikëse… Ku është prokuroria? E kam telefonuar në orën 2”.

Babai i rojes së sigurisë, Arjan Sula, i cili dyshohet se ka mbetur i bllokuar nga flakët në magazinë

Edhe familjarët e tjerë të 33-vjeçarit, që dyshohet se ka mbetur brenda magazinës, kërkojnë nga shteti që të marrë masa për të gjetur trupin e të riut.

Tezja e  33 vjeçarit, ditën e sotme në një prononcim për mediat ka thënë se zjarrfikëset kanë arritur me vonesë në vendin e ngjarjes.

Ajo ka shtuar se i riu ka mbetur brenda magazinës, në përpjekje për të shpëtuar të tjerët.

“Ka qenë punëtor në krye të detyrës. Është përpjekur të shpëtojë të tjerët. Shteti ka fjetur gjumë. Mbrëmë kemi qëndruar në tym dhe flakë. Asnjë informacion nuk kemi nga autoritetet, nuk kemi asnjë shpresë. Zjarrfikëset kanë ardhur me vonesë. Vijnë zjarrfikëse me dy bombola. Punonte në këtë detyrë prej 4-5 vitesh“, – ka thënë ajo.

Zjarri përfshiu magazinën kur po shkarkoheshin disa kuti me rroba rreth orës 16:30 dhe Sala shkoi menjëherë ta shuante, por dyshohet se ka mbetur brenda.

Në kërkim të trupit të tij, janë zjarrfikësit dhe grupet e shpëtimit nga minierat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë