Në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe shtetit shqiptar, është goditur një grup kriminal i organizuar, të cilët transportonin emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.
Në pranga kanë rënë 12 persona të cilët akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose Organizimi i Grupit Kriminal të Organizuar” që lidhen me “Kontrabandë me migrantë” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Në cilësi të provave materiale, janë sekuestruar disa aparatura dhe materiale që janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale, si dhe dokumentet e falsifikuara.
Policia e Kosovës thotë se operacioni i parë është zhvilluar me datë 29 tetor 2020, ku janë kontrolluar pesë (5) lokacione të ndryshme dhe janë arrestuar tre (3) persona të dyshimtë.
Ndërsa, në operacionin e sotëm janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione dhe janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshimtë.
“Gjatë kontrollit të lokacioneve në të dy këto operacione janë gjetur laboratorë të pajisur me aparatura dhe materiale që janë shfrytëzuar për prodhimin e dokumenteve të ndryshme të falsifikuara si dhe me qindra dokumente të falsifikuara si pasaporta, kartela identifikimi, patentë shoferi të falsifikuara të më shumë se gjashtëmbëdhjetë (16) shteteve të ndryshme kryesisht të vendeve të BE-së”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në të dy këto raste, hetimet janë kryer në bashkëpunim me EUROPOL-in, Shqipërinë si dhe disa shtete të BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




