Kombetarja

Shqipëri-Angli në rrezik, Policia nuk garanton marrjen e masave për ndeshjen

Ndeshja Shqipëri-Angli është në rrezik serioz. Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një deklaratë për shtyp, duke ngritur alarmin që vjen nga fakti se Policia nuk garanton marrjen e masave për ndeshjen që është në program të luhet më 28 mars, në stadiumin “Air Albania Stadium”. FSHF e ka marrë sot shkresën zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Sipas FSHF-së, autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së saj për lirimin e hapësirave në perimetrin e stadiumit. FSHF kërkon reagim urgjent për të shmangur pasojat, që sipas saj, do të ishin katastrofike.

Deklarata për shtyp e FSHF-së
Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.

Letra e Policisë e mbërritur në FSHF. Gazeta Si, 25 mars 2021

Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.

Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë