Kombetarja

Me variantin më të sigurt në Andorra, Reja i beson dyshes Cikalleshi-Manaj

Nga Andorra nis sot rrugëtimi i Shqipërisë drejt “Katar 2022”, shumë i vështirë për të shkuar deri në finish, por në futboll gjithçka mund të ndodhë. Trajneri Edi Reja dhe djemtë e tij do të provojnë me të gjitha mundësitë të hyjnë në histori, ndërsa objektivi minimal në kualifikueset e Botërorit është vendi i tretë.

Starti është shumë i rëndësishëm dhe një ekspert si Reja e di shumë mirë që fitorja në ndeshjen e parë ka vlera të shumëfishta. Për këtë arsye, trajneri italian ka vendosur që të hedhë në fushë ekipin fitues të Ligës së Kombeve. Edhe pse pas tri ditësh luhet ndeshja me Anglinë, ai nuk do të kursejë asnjë titullar sot në mbrëmje.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Andorrës. Gazeta Si, 25 mars 2021

Në portë do të jetë kapiteni Etrit Berisha. Portieri i Spalit është i favorizuar edhe nga situata e vështirë që ka kaluar Tomas Strakosha kohët e fundit. Në mbrojtje do të jetë treshja Ismajli-Gjimshiti-Kumbulla. Të tre lojtarë të rinj, të aktivizuar kohët e fundit dhe në formë shumë të mirë. Dhe në këto eliminatore pritet që të jetë pikërisht mbrojtja pika më e fortë e kuqezinjve. Lojtarët e këtij reparti luajnë me klube të mëdha dhe ky është një tjetër plus.

Hysaj, me skemën 3-5-2 të Rejës, kalon më përpara në mesfushë, në të dy krahët e saj. Sot ai do të luajë në të djathtë, ndërsa në të majtë pritet të jetë Uzuni. Në qendër do të aktivizohen Bare, Memushaj dhe Gjasula. Bare dhe Gjasula ndihmojnë shumë në të dyja fazat e lojës, kurse Memushaj është ekzekutuesi i të gjitha goditjeve standarde.

Shqipëria feston fitoren ndaj Kazakistanit. Gazeta Si, 25 mars 2021

Në sulm, Reja i beson dyshes së konsoliduar Cikalleshi-Manaj. Në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve këta dy lojtarë janë marrë vesh mirë me njëri-tjetrin dhe skuadra ka shënuar rregullisht. Në stol trajneri Reja ka më shumë alternativa këtë herë. Sulmues si Broja dhe Kamberi janë gati, ndërkohë që pritet edhe debutimi i Bajramit, nëse leja nga FIFA vjen në kohën e duhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë