Spitali Rajonal Memorial i Fierit pritet të jetë gati në muajin prill dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka një thirrje për profesionistët e shëndetit që duan të jenë pjesë e këtij institucioni. Manastirliu, me një videomesazh, i fton ata të aplikojnë për punë, duke i garantuar për transparencë.
“Për nga standardet por edhe për nga mënyra e administrimit, ky spital do të vendosë gurin e themelit sa i përket ndërtimit të modelit të ri të autonomisë spitalore në Shqipëri. Spitali Rajonal Memorial do të menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk. Ky spital do të ketë 150 shtretër, 19 shërbime dhe njësi klinike ambulatore dhe me shtretër. Një spital, i cili do të mundësojë shërbime të nivelit terciar për qytetarët shqiptarë”, – tha Manastirliu.

Në Spitalin Rajonal Memorial Fier do të punësohen mbi 300 persona, 50 nga të cilët do të jenë profesionistë nga Turqia. “Kjo ftesë u drejtohet të gjithë menaxherëve shëndetësorë spitalore, mjekëve sipas specialiteteve të përcaktuara në thirrjen publike, infermierëve, teknikëve që plotësojnë kriteret për t’u përzgjedhur dhe që janë të gatshëm të bëhen së bashku me ne pjesë e këtij projekti ambicioz që po hedh hapat e parë drejt autonomisë së sistemit spitalor publik”, – ka bërë thirrje Manastirliu.
Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet nga një komision ad-hoc, sipas një sistemi pikëzimi, i cili vlerëson dosjen e aplikantit dhe intervistën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




