Ka ndodhur

SHBA-të i dhurojnë FA-ve 29 makina të blinduara (Foto)

Ambasada amerikane në Tiranë, njoftoi se SHBA-të i kanë dhuruar 29 Automjete Ushtarake të Lëvizshmërisë së Lartë, ose “Humvee”, Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në ceremoninë e dorëzimit ishte e pranishme edhe ambasadorja Yuri Kim.

Diplomatja amerikane, u shpreh krenare që Shqipëria i përgjigjet detyrës, duke qenë gjithmonë në krah të SHBA, pavarësisht sa të rrezikshme janë misionet, pavarësisht sa larg shtëpisë.

“Jemi këtu për të festuar dorëzimin e 29 Automjeteve Ushtarake të Lëvizshmërisë së Lartë, ose “Humvee”, për Forcat e Armatosura Shqiptare. Këto automjete të reja, do të përmirësojnë menjëherë aftësitë e forcave tokësore shqiptare në një moment kritik…”, – tha ajo.

Kim tha se ky dhurim është gjithashtu vendimtar, “sepse jemi në përgatitjet e fundit për një ngjarje historike – Stërvitja “Defender 21”. “Defender 21” është një stërvitje ushtarake shumëkombëshe, e cila do të ndodhë në Shqipëri këtë verë dhe Shqipëria është zgjedhur për të mikpritur një aspekt të rëndësishëm të stërvitjes”.

Sipas ambasadores, “kjo do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake ndonjëherë në Evropën Juglindore dhe sigurisht do të tregojë rëndësinë e Shqipërisë në rajon. Në mënyrë të veçantë, presim me kënaqësi t’i shohim këto automjete të marrin pjesë në këtë ngjarje premierë trajnimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë