Kombetarja

Video/ Plotësohet grupi në Barcelonë, të gjithë të gatshëm për trajnerin Reja

Në seancën e dytë stërvitore të zhvilluar në Barcelonë, ku Kombëtarja është grumbulluar, trajneri Reja e ka pasur grupin të plotë. Me skuadrën janë bashkuar mbrëmjen e së hënës edhe Etrit Berisha, Federik Veseli dhe Mario Mitaj, të cilët sot ishin në dispozicion të trajnerit kuqezi.

Stafi teknik i Kombëtares ka parë me kujdes gjendjen e të gjithë futbollistëve në prag të ndeshjes me Andorrën. Pozitiv është fakti se asnjë futbollist nuk ka probleme fizike dhe trajneri Reja mund të bëjë i qetë llogaritë për transfertën e së enjtes, por edhe për ndeshjen pasardhëse me Anglinë në “Air Albania Stadium”.

Mëngjesin e së mërkurës, sipas programit, kuqezinjtë do të lënë Barcelonën dhe do të udhëtojnë drejt Andorrës. Seanca e fundit stërvitore do të zhvillohet në stadiumin, ku të enjten do të luahte ndeshja e parë kualifikuese e Katar 2022 nga Kombëtarja jonë. Nesër trajneri Reja dhe kapiteni Berisha pritet të dalin në konferencë për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë