Politike

Rama pas takimit me Macron: Nuk jam njeriu i duhur për negociatat Kosovë-Serbi

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar sot detaje nga dreka e punës me presidentin Emmanuel Macron  në Paris. Në një njoftim për mediat, kryeministri zbuloi temat e bisedës që diskutuan në drekën e punës, duke theksuar se fillimisht, Rama u ndal te investimet e Francës në Shqipëri.

“Ishte një ftesë e presidentit, kishim disa kohë që nuk ishim takuar dhe ai dëshironte që të kalonte një drekë pune me mua për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të Agjencisë franceze për zhvillim që është angazhuar për financimin e tre projekteve, më i rëndësishme është finalizimi i gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore në ujësjellësin e Durrësit dhe për të garantuar edhe për Durrësin, 24 orë ujë pa ndërprerje, sistemin elektroenergjetik dhe një program për gratë dhe vajzat. Folëm edhe për investimet e Francës për investimet në energji në Shqipëri, parku voltaik, më i madh i rajonit në Karavasta. Kemi folur për planin Europian të investimeve për Ballkanin” tha Rama.

Megjithatë, nisja e bisedimeve për integrimin në Bashkimin Europian që duket se nuk ishte pjesë e drekës. “Është një proces që vazhdon. Unë e kam thënë që nuk ka asnjë sekret, sekreti më i madh publik është; ne i kemi bërë detyrat tona, do të varet nga situata brenda KE-së dhe dinamikat brenda vendeve të BE-së” thotë Rama.

Më pas tema e bisedës sipas kryeministrit Rama u fokusua tek rajoni dhe bisedimet mes Kosovës de Serbisë. “Kemi qëndruar gjerë e gjatë për situatën në rajon, ecurinë mes vendeve të rajonit, procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, për procesin Shengenit rajonal dhe tema të tjera”.

I pyetur nga gazetarët, nëse Macron i kërkoi që të ishte ndërmjetës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Edi Rama tha se nuk ishte njeriu i duhur për të bërë një gjë të tillë, pasi është palë.

“Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar, pasi jam palë dhe si palë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe Kosovës bashkë dhe ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë që të çojnë përpara dialogun sikur e mendojnë të arsyeshme, me të gjithë mbështetjen time, të qeverisë sot dhe nesër në Tiranë. Mund të kemi qasje të caktuara, por qëllimi është i njëjtë. Unë jam palë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë