Ka ndodhur

Masakruan të riun në Korçë pas sherrit në lokal, në pranga i dyshuari i tretë

Një 33-vjeçar është arrestuar këtë të premte, i akuzuar në lidhje me vrasjen e një të riu 6 muaj më parë në Korçë.

Policia thotë se në pranga ka rënë Angel Miçani, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në konfliktin e ndodhur në vitin 2016 në një lokal në qytetin juglindor, ku si pasojë e dhunës humbi jetën 23-veçari Marsel Osmani nga fshati Dishnicë.

Në lidhje me këtë ngjarje, ndodhen në burg edhe dy nga personat, të cilët dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta kanë plagosur me sende të forta Osmanin, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen disa ditë pas ngjarjes, në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Gjithçka ndodhi më 29 gusht të vitit 2016, ku 23-vjeçari Marsel Osmani nga fshati Dishnicë u dhunua barbarisht nga pronari i një lokali me muzikë tallava, Olsi Zyberi.

Ky i fundit, dyshohet se e ka dhunuar barbarisht me hekur dhe me dru, më pas e ka qëlluar edhe me thikë pas koke dhe më e pas e ka lidhur pas makinës duke e tërhequr zvarrë, për ta hedhur më vonë në një kanal.

Deri tani për ngjarjen ishin arrestuar Olsi Zyberi dhe Llazar Dine.

Zyberi u arrestua ditën  e ngjarjes, ndërsa Dine 6 muaj më pas.

Sipas policisë, motivi i kësaj ngjarjeje mendohet të kenë qenë sherri për një femër në lokal.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë, ku pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit O. Z., dhe Ll. D., (pronari i lokalit dhe truproja), kanë plagosur me sende të forta shtetasin M. O, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen disa ditë pas ngjarjes, në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe provat e grumbulluara, rezulton se bashkëpunëtor me dy shtetasit e mësipërm (të cilët janë ndaluar më parë nga Policia) ishte edhe shtetasi A. M.,”, – thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë