Kombetarja

Dëmtimet dhe pandemia, si ndryshon lista e kombëtares

Shqipëria bëhet gati për nisjen e edicionit të ri të kualifikueseve, megjithatë, jo pak probleme mund të ketë për trajnerin në lidhje me listën kuqezi. Në ligën e futbollit francez, klubet kanë marrë një vendim për sa i përket lejeve për lojtarët që duan të luajnë me skuadrat përfaqësuese në sfidat kualifikuese për Kupën e Botës “Katar 2022”.

Sipas “L’Equipe”, klubet në dy kategoritë e para të Francës kanë firmosur një vendim i cili saktëson se asnjë nga lojtarët që nuk i përket kombëtareve të vendeve të Bashkimit Europian, nuk do të lejohet të largohet në mars për të luajtur kualifikueset e Botërorit. Ky vendim vjen për shkak të situatës me COVID-19 dhe kufizimeve apo rregullave të karantinës që po aplikohen në vende të ndryshme. Sipas rregullave të reja të FIFA-s, klubet nuk janë të detyruara këto kohë t’i lejojnë futbollistët e tyre për në kombëtaret përkatëse.

Nga ky vendim preket dhe Kombëtarja shqiptare, pasi mesfushori Qazim Laçi , i cili luan me ekipin e Ajaccio në ligën e dytë franceze nuk do të mund të grumbullohet nga trajneri Edi Reja për kualifikueset e Botërorit. Mungesa e Laçit mund të përbëjë një lajm të keq, pasi Amir Abrashi nuk u grumbullua për shkak dëmtimi ndërsa Klaus Gjasula nuk ndodhet në formën e tij më të mirë.

Probleme mund të ketë edhe me Lorenc Trashin. Kuvajti është një nga shtetet që përveçse ka mbyllur aeroportin, ka ndaluar të gjithë lojtarët e huaj që t’u përgjigjen ftesave të mara nga ekipet kombëtare. Trashi dhe të gjithë lojtarët e huaj, bashkë edhe me klubin e tyre, u janë drejtuar institucioneve që të gjithë lojtarët që kanë marrë një ftesë të lejohen për t’u bashkuar me kombëtaret tyre dhe në kthim të mos kenë kushtin për karantinë të shtrënguar, por të aplikohet vetëm sistemi me tamponë. Tashmë, mbetet për t’u pritur lista e Rejës për t’i dhënë fund të gjithave dyshimeve rreth kombëtares kuqezi, në tre ndeshjet që kjo e fundit ka për llogari të kualifikueseve të Katar 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë