Kombetarja

Video/ Broja lë fushën duke çaluar, shqetëson Rejën para ndeshjeve të Kombëtares

Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, ka pësuar sot një dëmtim, që mund të vërë në rrezik grumbullimin e tij për ndeshjet kualifikuerse të Botërorit, që luhen në fund të këtij muaji. Futbollisti kuqezi la fushën duke çaluar dhe ky është një lajm i keq për trajnerin Edi Reja, i cili po përgatit listën.

Megjithatë, duhen pritur ekzaminimet për të mësuar shkallën e dëmtimit për sulmuesin e ri dhe kohën e rikuperimit. Broja luajti nga minuta e parë në transfertën e Viteshes me Utrehtin, ku skuadra e tij fitoi 1-3. Ai u zëvendësua në minutën e 71-të për shkak të dëmtiumit që erdhi nga një përplasje me një mbrojtës kundërshtar.

Broja qëndroi i shtrirë në fushë për pak minuta, duke ulëritur nga dhimbjet. U desh ndërhyrja e stafit mjekësor të Viteshes që ai të ngrihej dhe të shkonte drejt stolit duke çaluar. Sulmuesi i Kombëtares mori një goditje nga pas, që nga përsëritja u kuptua se ishte mjaft e fortë.

Futbollisti 19-vjeçar po kalonte një moment shumë të mirë dhe nëse dëmtimi rezulton serioz, do të ishte vërtet një mungesë e madhe për Kombëtaren në ndeshjet e para eliminatore të Katar 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë