Kombetarja

Reja konfirmon Bajramin në listë dhe ngre në qiell Gjimshitin

Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ka dhënë një intervistë për televizionin publik shqiptar, ku ka folur për kualifikueset e Botërorit dhe projektin e 2024-ës. Ai është i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve, kur jemi në prag tri ndeshjeve të para eliminatore.

“Nuk kam mundur të vij në Shqipëri gjatë këtyre 4 muajve, por detyra ime kryesore është të monitoroj ecurinë e lojtarëve që janë në qarkullim dhe të evidentoj ata që janë më në formë. Dikush nuk ka luajtur shumë, dikush tjetër ka qenë i dëmtuar e dikush tjetër ka kaluar Covid-19. I kam vëzhguar të gjithë dhe tani po aktivizohen pak a shumë të gjithë. Do ta kem të vështirë te përzgjedh, pasi kam 30-35 emra në listë dhe dikush do të qëndrojë në shtëpi, për këtë më vjen keq”, – tha fillimisht trajneri italian.

“Ka lojtarë të rinj, të cilët kanë ardhur kohët e fundit dhe të tjerë që po i ndjekim prej një viti. Pres shumë nga të gjithë. Eliminatoret e Botërorit do të jenë vendimtare dhe mendoj që përmirësim ka pasur. Jemi ngjitur një kategori më lart në Ligën e Kombeve dhe duhet të jemi konkurrues. Duhet të jemi mirë fizikisht. Lojtarët që po ndjek po fitojnë minuta të rëndësishme, po luajnë mirë në klubet e tyre. Mezi pres të nis punën me skuadrën”, – shton më tej Reja.

Bajrami, i konfirmuar nga Reja në listë. Gazeta Si, 12 mars 2021

“Shpresoj që në grumbullim të kem në grup edhe lojtarë të rinj, por ka pasur probleme burokratike me pasaportat, prandaj nuk kam një përgjigje të saktë. I kam në listë dhe shpresoj që gjithçka të mbyllet sa më shpejt, në mënyrë që të bëjmë një start pozitiv. Mund të konfirmoj se njëri prej tyre është Bajrami i Empolit”, – pohon Reja për risitë e mundshme të listës.

Forma e lojtarëve
“Gjimshiti është një lojtar që më mahnit gjithmonë e më shumë. Në ndeshjen e fundit kundër Lukakut, qendërsulmuesi më i fortë në nivel europian, Gjimshiti tregoi se markon me shumë lehtësi dhe ky është një avantazh i madh. Ka kapacitet të jashtëzakonshëm në leximin e ndeshjeve, është një lojtar i kalibrit europian, një nga më të mirët në rolin e tij.

Berat Gjimshiti me fanellën e Atalantës. Gazeta Si, 12 mars 2021

Po luajnë në vazhdimësi edhe Uzuni, Broja, Manaj e Cikalleshi. Kamberi gjithashtu ka gjetur një skuadër të re dhe shpresoj ta grumbulloj në listën me 23 lojtarë për eliminatoret. Pas ditës së diel do të kem një ide më të qartë, pasi shumë lojtarë kanë ende probleme, si Gjasula e Dermaku, por edhe Abrashi, që do të na mungojë.

Strakosha ka pasur probleme me gjurin, nuk ishte i pranishëm as në grumbullimin e fundit. Më ka konfirmuar që është mirë dhe tani duhet të punojë për të rifituar vendin e titullarit. Hysaj po luan në vazhdimësi dhe ndihet mirë me Gatuzon, aktivizohet shpesh herë edhe në të majtë. Duhet të qëndrojë i qetë, mendoj se gjërat do të shkojnë mirë. Nëse nuk do qëndrojë te Napoli, shpresoj të gjejë skuadrën e përshtatshme”, – u shpreh trajneri i Kombëtares.

Andorra dhe Anglia
“Le të urojmë që nuk do të përsëritet një ndeshje si ajo me Andorrën. Nëse e kujtoni, pas Andorrës kishim Francën dhe ajo ndeshje ndikoi shumë. Më shumë më trembin këto skuadra se sa ato të kalibrit të madh. Nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime, sepse skuadrat si Andorra mbyllen mirë prapa dhe nisen në kundërsulm. Duhet të nisemi me këmbën e duhur, është shumë e rëndësishme.

Kombëtarja gjatë një grumbullimi. Gazeta Si, 12 mars 2021

Anglia ka ndryshuar tërësisht. Disa vjet më parë kishin një skuadër tjetër, me pasime të gjata, sot luajnë fort dhe janë shumë të përgatitur fizikisht. Të gjithë lojtarët luajnë titullarë në skuadra të nivelit të lartë, veçanërisht në sulm ka shumë mundësi zgjedhjeje. Kam shumë besim te grupi im dhe shpresoj shumë të bëjmë paraqitje pozitive. E ritheksoj, duhet të fokusohemi te ndeshja e parë me Andorrën, ku në asnjë mënyrë nuk duhet të gabojmë.

Pa tifozë? Ky nuk është futboll, sepse pa njerëz në stadium futbolli është ndryshe. Tashmë jemi mësuar, sot ndeshjet duken si miqësore. Lojtarët janë mësuar, e rëndësishme është të jemi të përqendruar dhe nuk duhet të lëshojmë asnjë centimetër. Polonia dhe Hungaria janë kundërshtarët tanë, ndaj Anglisë do të japim maksimumin me shpresën për të marrë diçka. Dua ta shikoj skuadrën në ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë, ato tregojnë deri në cilin nivel jemi rritur”, – theksoi Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë