Qëndrimi i ashpër i fund dhjetorit i kryeministrit Edi Rama lidhur me vaksinën ruse “Sputnik V” ka derivuar prej kohësh nga vetë ai.
Fillimisht Rama, postimin e fundvitit të ambasadës së Rusisë në Tiranë, ku thuhej se Moska ishte e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik V” edhe në Shqipëri, Rama e cilësoi provokim, madje i kërkoi ambasadës të jepte ndjesë
Por ndjesa dhe provokimi i mbeti fund dhjetorit sepse me ndryshimin e disa vendeve evropiane si Gjermania lidhur me këtë vaksinë, ndryshoi qëndrim edhe Rama, duke sqaruar fillimisht se vaksina do pranohej në rast se miratohej nga Agjencia Evropiane Barnave e deri në justifikime as fare të besueshme të tipit se, “i takon komitetit teknik të vendosë nëse duhet marrë apo jo ”
Të enjten, jo “komiteti”, por vetë ai, i ka hapur rrugë zyrtarisht marrjes së vaksinës ruse dhe asaj kineze përmes një akti normativ që do ta negociojë ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Në Aktin Normativ dallon një detaj i rëndësishëm, që Manastirliu edhe Ahmetaj do të negociojnë për të siguruar ato vaksina “të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”.
Që do të thotë, se nuk ka rëndësi më, nëse këto dy vaksina miratohen nga EMA apo FDA.
“Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi:
Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”, thuhet në aktin normativ që pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ahmetaj përfshihet sërish në negociata për vaksinën ashtu si edhe në firmosjen e mëhershme të qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer, ku nga qeveria shqiptare dallonte firma e tij, krahas Manastirliut dhe Edi Ramës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje