Politike

PD: Tom Doshi të mos regjistrohet në zgjedhje. Kreu i PSD: Do jem faktor, s’tërhiqem nga gara

Partia Demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos e regjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.

Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD.

Tom Doshi do të kryesojë listat e kandidatëve të Partisë Socialdemokrate në dy qarqe.

PSD ka dorëzuar listat me kandidatët e saj, ku deputeti dhe kryetari i kësaj partie, Tom Doshi është i pari në Shkodër dhe Tiranë.

Më 8 shkurt, nga thirrjet drejtuar kryetarëve të partive për të mos kandiduar persona me precedentë kriminalë dhe të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive të qenësishme, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim kërkoi që Tom Doshi të mos kandidojë.

Ndërkohë, pas kërkesës zyrtare të PD, ka reaguar edhe PSD.

“Duke u nisur nga shpifjet dhe akuzat e pabaza, nga frika e humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit, sepse Partia Socialdemokrate e Shqipërisë do jetë faktor i rëndësishëm në politikën shqiptare, ju bëjmë me dije se jo vetëm kryetari i PSD-së, Z. Tom Doshi, por edhe të gjithë kandidatët në çdo qark të vendit janë konform ligjit! PSD njeh, respekton Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet shqiptare!”, thuhet në deklaratën për shtyp të PSD


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë