Kombetarja

Dorëzohet Zvicra, Nedim Bajrami gati të vishet kuqezi

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edouardo Reja ia doli. Nedim Bajrami, 21 vjeçari që luan me Empolin në Serinë B të Italisë, mund të quhet zyrtarisht si pjesë e Shqipërisë. Pasi ka luajtur në të gjithë nivelet e moshave të Zvicrës (nga U15 te U21), Nedim Bajrami ka vendosur që të jetë së shpejti pjesë e Shqipërisë së Edi Rejës. Në fakt, për Bajramin, është folur shumë së fundmi teksa kombëtarja helvete nuk kërkonte të hiqte dorë prej tij.

‘’Shqipëria na vodhi thesarin Bajrami”. Ky është titulli i Blick që mes të tjerave raporton faktin se drejtori i Zvicrës, Pierluigi Tami dhe  trajneri i U21, Mauro Lustrineli bënë gjithçka për ta bindur, por ishte pamundur. Lustrinelli ka konfirmuar përfshirjen e Bajramit te Shqipëria: “Ne provuam ta bindnim Bajramin të vazhdonte të luante për Zvicrën. Por, më pas ai na tha se zemra e tij rreh për Shqipërinë. Kështu, për ne në kombëtare identifikimi është një nga vlerat kryesore, ndaj nuk kishim zgjidhje tjetër veçse ta linim të largohej” u shpreh Lustrineli për “Blick” rreth mesfushorit shqiptar.

Mesfushori me tipare sulmuese aktualisht luan sezonin e tij të dytë me Empolin në Serinë B dhe prej kohësh është ndjekur nga trajneri i Kombëtares. Bajrami në këtë sezon me Empolin është aktivizuar në 25 ndeshje, ndërsa ka shënuar edhe tre gola duke ndihmuar ekipin që është në vendin e parë të Serisë B dhe është favoritja e madhe për të qenë pjesë e elitës italianë në sezonin e ardhshëm. Vetëm një muaj më parë ai shënoi dy gola ndaj Napolit në ndeshjen e Kupës së Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë