Ka ndodhur

Zjarr në Berat, digjen 4 banesa. Dyshohet 3 të vdekur

Një zjarr masiv ka rënë gjatë natës në një banesë në Berat dhe se i ka marrë jetën 2 personave. Deri tani mësohet se viktimat janë babë e bir.

Policia thotë se viktimat janë Jani Vangjeli 61 vjeç, dhe djali i tij, Mateo Vangjeli, 36 vjeç.

Viktimë në këtë ngjarje dyshohet se ka mbetur edhe një shok i Mateos, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Policia thotë se fillimisht është djegur banesa që është në pronësi të shtetasit Jani Vangjelit e më pas flakët janë përhapur dhe në 3 shtëpi të tjera.

Deri tani bëhet me dije se janë djegur dy banesat që ishin në të njëjtin kat të pallatit, shtëpitë e R. S dhe P. N. e më pas është djegur dhe banesa në katin e tretë të pallatit, në pronësi të M. H.

Forcat e shërbimit zjarrfikës nxjerrin nga shtëpia e djegur një trup të pajetë me një barelë dhe e çojnë në ambulancën e morgut.

Trupi i pajetë thuhet se është gjetur pranë një karroce me rrota, ndërkohë që mendohet se i përket 61-vjeçarit Jani Vangjeli. Ky i fundit ishte i paralizuar.

Ndërkohë që forcat e zjarrfikëses dhe policia vijojnë kërkimet nën rrënojat e banesës së shkrumbuar, për të gjetur trupin e djalit, Mateo Vangjeli, 36 vjeç, i cili jetonte i vetëm me babain në këtë banesë.

Mësohet se vëllai dhe kunata e 61-vjeçarit Vangjeli shprehen se babë e bir kishin në shtëpi një rezistencë, e cila mund të jetë bërë shkak për ngjarjen e rëndë.

“Zjarri ka rënë në orën 1 pa 10. Unë erdha në orën 1 e 25, se erdha në këmbë. Gjeta vetëm flakë. Dëgjova që kanë humbur jetën tre veta. Ata kishin një rezistencë, që gatuanin, dhe them mos ka ndodhur nga ajo rezistenca”, tha vëllai i viktimës, Kleanthi Vangjeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë