Politike

Kurti në Gjirokastër me 11 “komitët” e tij, te busti i Çerçiz Topullit

Njësoj si Çerçiz Topulli që vetëm me 11 komitë arriti të shpartallojë taborin turk, edhe Albin Kurti me një grup modest (që nuk i kalonin numrin 11) po vazhdon fushatën elektorale në Shqipëri.

Ditën e enjte, ai është ndalur në Gjirokastër, në mbështetje të kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë qark Kreshnik Merxhani (por zyrtarisht i regjistruar si i pavarur).

Simbolika është e njëjtë, respektimi i figurave apo datave që vlerësohen në Shqipëri. Kurti bashkë me Merxhanin ka vendosur kurora me lule në shtatoren e Çerçiz Topullit. Gjithashtu kreu i VV  ndaloi edhe para memorialit të personaliteteve më të shquar të qytetit, midis tyre edhe Musine Kokalari.

Në këto zgjedhje Vetëvendosje përfaqësohet me 3 kandidatë, në Tiranë, Lezhë dhe në Gjirokastër. Ardhja e Kurtit në Shqipëri dhe mbështetja për kandidatët e Vetëvendosjes nuk është e re, por risia qëndron te fakti që kjo po bëhet publike. Kurti më herët deklaroi se qendra e VV në Shqipëri po rritet dita ditës dhe tha se kjo do të reflektohet edhe në zgjedhjet e prillit. Ai premtoi se për aq kohë sa ai të jetë në krye të Kosovës, Prishtina dhe Tiranë do të kenë marrëdhënien më të mirë dhe se do të angazhohen për bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë