Kosova

Zyrtare/ Albin Kurti fitoi 58 deputetë. Vjosa Osmani më e votuara, mbi 300 mijë vota

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjten shpalli rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 deputetë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se pavarësisht kohës së shkurtër për organizimin e zgjedhjeve, për më pak se 40 ditë, zgjedhjet e 14 shkurtit, sipas saj ishin zgjedhjet e organizuara "më së miri" në historinë e zgjedhjeve të Kosovës.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 deputetë në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërin e Kosovës do të ketë 8.

Ndërkaq nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar dhjetë vende. Nga dy deputetë në Kuvendin e ri të Kosovës kanë fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Iniciativa Rome. Ndërkaq, nga një kanë fituar Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Inciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim.

Sipas rezultatit, Vjosa Osmani, që garoi në listën e Vetëvendosjes ka marrë më shumë vota, përkatësisht 300.788 vota. Kreu i LVV-së, Albin Kurti nuk u lejua që të garojë për deputet, për shkak të një dënimi të formës së prerë, për hedhje të gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit. Ndërkaq, kryesuesi i Listës së PDK-së, Enver Hoxhaj ka fituar 100.518 vota, pasuar nga Avdullah Hoti i LDK-së me 69.640 vota, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka siguruar 41.406 vota dhe Sllavko Simiq nga Lista Serbe ka fituar 19.728 vota.

KQZ-ja njoftoi se LVV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438.334 vota, PDK-ja 148.296, LDK-ja 110.978 dhe AAK-ja 62.111 vota.

Pas shpalljes së rezultatit, tani partitë dhe kandidatët për deputetë, brenda 24 orëve mund t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), nëse kanë ankesa. Të drejtë ankese ata më pas mund të bëjnë edhe në Gjykatën Supreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë