Autori Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes” shpallet fituesi i Çmimit letrar “Kadare” 2021.
Në garë për këtë çmim letrar që jepet për të gjashtin vit radhazi ishin autorët Behar Jacaj, Ballsor Hoxha, Arbër Ahmetaj dhe Marcel Hila.
Ceremonia e dorëzimit të këtij Çmimi do të organizohet më 12 mars 2021.
Romani “Zogjtë e qyqes” trajton me vlera të spikatura letrare artistike, urrejtjen në mes serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjellë, dashurinë e parealizuar që e intrigon lexuesin, ndërsa pasuron më tej letrat shqipe.
Gani Mehmetaj është gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast nga Kosova, ndërsa është autor i mirënjohur i një numri veprash të spikatura.
Në edicionin e gjashtë të këtij konkursi, nismë e Institutit Pashko, morën pjesë me veprat e tyre në dorëshkrim në gjininë e prozës 30 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Juria që kishte si kryetar jurie shkrimtarin Preç Zogaj, kishte në përbërje të saj profesorin e filozofisë, Blerim Latifi, shkrimtarin Loer Kume, shkrimtarin Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë, Genciana Abazi.
Vepra fituese do të botohet nga Botimet UETPress. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10.000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.
Autori fitues do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”.
Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.
Fituesit e Çmimit “Kadare” ndër vite:
Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”.
Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, me veprën “Piramida e shpirtrave”.
Në vitin 2017 fitues i Çmimit Kadare ishte Musa Ramadani, me romanin “Profeti nga Praga”.
Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016.
Ndërsa fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimtari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.