Ekstradohen nga Franca dhe Italia dy trafikantë shqiptarë, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia thotë se është arrestuar në Francë dhe ekstraduar drejt vendit tonë, shtetasi Tom Kaçi, 51 vjeç.
51-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
51-vjeçari Tom Kaçi, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në muajin tetor të vitit 2013, në fshatin Bulshar, komuna Orosh, Mirditë, ka kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa dhe i ka transportuar ato në drejtim të Rubikut.
Gjithashtu, policia thotë se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romë/Itali, u bë i mundur arrestimi në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar A. Q., 25 vjeç.
25-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 15.01.2019, ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
“Shtetasi A. Q., në bashkëpunim me shtetasin I. K., dyshohet se ka trafikuar një sasi lënde narkotike drejt Malit të Zi”, përfundon policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.