Në thuajse një orë konferencë për shtyp, Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkoi vëmendje maksimale nga qeveria për pandeminë.
Meta tha se tre janë çështjet kryesore ku kërkohet fokus, pandemia ekonomia dhe standardi në zgjedhje.
Meta disa herë nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, dhe mbi të gjitha që ato të mos vidhen, “si katër vjet më parë”.
“…As në ëndrrën më te keqe nuk e kanë parë se çfarë i pret nëse prekin votën e shqiptarëve. Mesazhi im ka qenë është dhe do të jetë, vota është e ardhmja për 100 vjet”, tha Meta gjatë konferencës për shtyp.
Ilir Meta u shfaq i pakënaqur dhe kritik me kryeministrin Rama, por edhe me Damian Gjiknurin lidhur me deklaratat e këtij të fundit për vizitën e tij në Vlorë.
“…Presidenti lëviz në mes të popullit sepse është president i popullit. Presidenti nuk ka frikë nga populli. Kush ka frikë nga populli lëviz me protokoll sigurie, me eskortë dhe 400 makina shoqëruese…
Le të tmerrohen të gjithë ata që besojnë se do bëjnë tërmet si në Dibër dhe Shijak. Shqipëria ka një pengesë të pakapërcyeshme për çeljen e negociatave, zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh ai
“…Kur të kenë dëshirë Damiani (Gjiknuri) të marrë edhe gurunë me vete të shkojmë në Radhimë të takojmë banorët, e nëse hedhin asfalt elektoral thjesht se janë shqetësuar se vajti presidenti, unë vete ditën, po vete edhe natën, dhe do lajmëroj edhe Damianin… Presidenti që keni këtu nuk ka frikë nga populli. Po të dëshirojë Taulanti (Balla) le të më ftojë dhe shkoj edhe në Asamblenë ne Elbasan, por le të merren me pandeminë”.
Meta përcolli tone të ashpra ndaj qeverisë, duke përmendur disa herë se vendi po shkonte drejt një diktature.
“Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. Në 2 mars i kurseva. Edhe njëherë do të thërras popullin nëse do të duhet, por unë mendoj që e vetmja thirrje që duhet të bëj (që të mos më detyrojnë të bëj gjë tjetër) është “të gjithë në votime”…
Them referendum sepse nuk janë zgjedhje normale, një shqiptar që nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet…”, tha ai.
Meta nënvizoi gjithashtu se largimi nga Kuvendi dhe mos pjesëmarrja në zgjedhje ishte një mësim i hidhur për opozitën.
“Ishte një mësim i hidhur dhe nuk ka për të ndodhur më. I pari do jem që do të ndëshkoj çdo forcë politike që do të lërë Kuvendin dhe nuk do të hyjë në zgjedhje…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.