Politike

Kryeministër nga partia e parë apo koalicioni fitues? Skenari i Metës pas 25 Prillit dhe dy planet e PS

Vetëm do muaj më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi lëshoi ngacmimin e parë politik se pas zgjedhjeve, Presidenti mund të dekretonte jo kryeministrin e partisë së parë në zgjedhje, por koalicionit fitues që siguronte shumicën në Kuvend.

Ky debat është risjellë rëndshëm në diskutimin politik nga opozita.

Fillimisht Kryemadhi në emisionin “Open” të do ditëve më parë kur tha se mandatin duhet ta marrë koalicioni fitues dhe e pasoi përmes një interviste televizive anëtari i kryesisë së PD-së, Oerd Bylykbashi.

Kodi i ri Zgjedhor, sipas Bylykbashit, përcakton qartë se si formohet shumica qeverisëse.

Bylykbashi tha se PD dhe LSI edhe pse mund të mos dalin në një koalicion, ato mund të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve për të formuar shumicën me 71 deputetë dhe më pas shumica provohet në Parlament.

“Tashmë ka ndryshuar Kushtetuta, partia ose koalicioni që ka më shumë mandate, i propozon presidentit kryeministrin”, tha Bylykbashi.

Sipas tij, edhe nëse rezultati i 25 prillit do t’i japë PS-së më shumë mandate si parti, e drejta për të formuar qeverinë do t’i takojë PD dhe LSI.

Pyetja që lind është; A mund të quhet koalicion PD-LSI sa kohe që ai nuk është regjistruar si i tillë në KQZ e për pasojë edhe të certifikohet?

Bylykbashi thotë se koalicioni është marrëveshje politike dhe nuk ka të bëjë me koalicionin zgjedhor.

Ndryshe e sheh Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla.

“Me ndryshimet kushtetuese të viti 2020 është e qartë që në rast se do të bësh një koalicion të përbashkët duhet që të përfshihesh në një listë në çdo rast tjera nuk konceptohet si një koalicion”.

Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 96 të saj parashikon që kryeministrin e propozon partia ose koalicioni i partive që kanë shumicën në  Kuvend.

“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në pikën 1 të nenit 96.

Për të shmangur këtë skenar diskutimi, socialistët po ecin me dy variante.

Varianti i parë; Duke synuar fort në bazë që të kapin të paktën 71 mandate për të mos i lënë vend interpretimeve kushtetuese

Varianti i dytë; Projektligji për Presidentin i bërë gati me kohë nga socialistet, por i mbetur në sirtar për tu paraqitur bash atëherë kur i volitet Ramës.

Një prej neneve të projektligjit me plot 10 pika përfshin zgjedhjen e kryeministrit nga Kuvendi i ardhshëm në rast se Presidenti nuk e dekreton.

Pas një procedurë të gjatë me tre etapa, ligji parashikon se në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. 

Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë