Gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha është pezulluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas arrestimit me urdhër të SPAK.
Vendimi nga KLGJ është marrë sot, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) e ka lënë gjyqtaren në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha, u arrestua pak ditë më parë në Gjykatën e Krujës, teksa po jepte vendimin për të liruar nga burgu kundrejt një shume parash një të dënuar për vrasje.
Emri i gjyqtares Enkeleida Hoxha lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.
Në pranga u vunë 10 persona, mes tyre gjyqtarja Enkeleida Hoxha, avokati Aldo Tabaku, sekretarja Manuela Mallakuçi, eksperti psikiatriko-ligjor Shkëlqim Korbi, të cilët bashkëpunonin që nga falsifikimi i raporteve mjeko-ligjore e deri tek shorti i caktimit të dosjes penale në mënyrë që ato t’i binin në dorë Enkeleida Hoxhës dhe më pas kundrejt shumës nga 6-12 mijë euro mundësonte lirimin e tyre nga burgu.
Ndërkohë në përgjimet e prokurorisë doli edhe emri i mjekut të QSUT-së, Edvin Priftit, të cilit pas kontrollit në banesë SPAK i sekuestroi 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë të vjetra cash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.