Gjatë një vizite në spitalin rajonal të Durrësit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi vijimin e skenarit për hapjen e spitaleve rajonale.
Ministrja shpjegoi se në Spitalet Covid në Tiranë është ezauruar 90 % e shtretërve dhe tashmë do t’i shtohen edhe 430-630 shtretër kapaciteteve aktuale të dedikuara për pacientët me COVID-19.
Gjithashtu Ministrja shtoi se është shtuar incidenca e infektimeve gjatë 3 javëve të fundit. Manastirliu tha se gjatë këtyre kohëve kemi një mesatare të 1130 rasteve të infektuara.
“Është një moment delikat dhe kjo na bërë që të kalojmë në skenarin e parë për hapjen e spitaleve rajonale, ku fillojmë sot me hapjen e Spitalit Rajonal të Durrësit, me pavion të dedikuar dhe gjithashtu në Spitalin Rajonal të Shkodrës e më pas do të vijojmë me Spitalin Rajonal të Korçës, Vlorës, Elbasanit, në skenarin e parë”, deklaroi Manastirliu.
Ndërsa drejtuesja e spitalit të Durrësit dhe stafi i pavionit COVID u shprehën se gjatë kësaj kohe është investuar për pavionin e dedikuar COVID si dhe është fituar një eksperiencë e mirë për trajtimin e pacientëve, nisur nga fakti se Spitali Rajonal i Durrësit trajton rastet post-covid si dhe rastet suspect covid. Gjatë inspektimit në reanimacionin e spitalit të Durrësit,, Manastirliu foli edhe për vaksinimin antiCOVID, i cili do të shtrihet edhe në dy pika të reja.
“Vijnë sot edhe dozat e tjera të vaksinës së Pfizer, doza të cilat do të shpërndahen menjëherë dhe pa humbur kohë për të vijuar planin e vaksinimit. Ne do të vijojmë nesër me qendrat e vaksinimit në Shkodër, më pas me Vlorën, ndërkohë që stafi i Durrësit, Elbasanit do të vaksinohen në Tiranë. Janë bërë gati të gjitha listat sipas vendosjes për të prioritizuar ata të cilët janë në linjën e parë”, theksoi Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.