Sociale

Manastirliu: 90% e spitaleve COVID në Tiranë janë plot, hapen spitalet rajonale të Durrësit dhe Shkodrës

Gjatë një vizite në spitalin rajonal të Durrësit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi vijimin e skenarit për hapjen e spitaleve rajonale.

Ministrja shpjegoi se në Spitalet Covid në Tiranë është ezauruar 90 %  e shtretërve dhe tashmë do t’i shtohen edhe 430-630 shtretër kapaciteteve aktuale të dedikuara për pacientët me COVID-19.

Gjithashtu Ministrja shtoi se është shtuar incidenca e infektimeve gjatë 3 javëve të fundit. Manastirliu tha se gjatë këtyre kohëve kemi një mesatare të 1130 rasteve të infektuara.

“Është një moment delikat dhe kjo na bërë që të kalojmë në skenarin e parë për hapjen e spitaleve rajonale, ku fillojmë sot me hapjen e Spitalit Rajonal të Durrësit, me pavion të dedikuar dhe gjithashtu në Spitalin Rajonal të Shkodrës e më pas do të vijojmë me Spitalin Rajonal të Korçës, Vlorës, Elbasanit, në skenarin e parë”, deklaroi Manastirliu.

Ndërsa drejtuesja e spitalit të Durrësit dhe stafi i pavionit COVID u shprehën se gjatë kësaj kohe është investuar për pavionin e dedikuar COVID si dhe është fituar një eksperiencë e mirë për trajtimin e pacientëve, nisur nga fakti se Spitali Rajonal i Durrësit trajton rastet post-covid si dhe rastet suspect covid. Gjatë inspektimit në reanimacionin e spitalit të Durrësit,, Manastirliu foli edhe për vaksinimin antiCOVID, i cili do të shtrihet edhe në dy pika të reja.

“Vijnë sot edhe dozat e tjera të vaksinës së Pfizer, doza të cilat do të shpërndahen menjëherë dhe pa humbur kohë për të vijuar planin e vaksinimit. Ne do të vijojmë nesër me qendrat e vaksinimit në Shkodër, më pas me Vlorën, ndërkohë që stafi i Durrësit, Elbasanit do të vaksinohen në Tiranë. Janë bërë gati të gjitha listat sipas vendosjes për të prioritizuar ata të cilët janë në linjën e parë”, theksoi Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë