Politike

Bushati: Kosova na dha mësime të vlefshme, fitoi modeli i ri politik

Për ish-Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, më shumë sesa një fitore e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, “14 Shkurti 2021, do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur sovrani me votë plebishitare shembi modelin e vjetër dhe përqafoi shpresën”.

“…Është fitorja e një modeli të ri politik që s’ka të bëjë me moshën, gjininë e prejardhjen, por që ndjen përgjegjësinë para njerëzve, duke demonstruar konsistencë në ide, përgjegjshmëri shtetërore e pathyeshmëri, duke mos u bërë palë me veset e politikës që gërryejnë idealin e jetës demokratike.

Është fitorja e standardit dhe kulturës demokratike. Kosova, 13 vjet shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi plot 109 vjet shtet.

Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen gjykimit të popullit.

Fitoret e mëdha shoqërohen gjithnjë me pritshmëri dhe përgjegjësi të mëdha”, shkruan Bushati në faqen e tij Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë