Në takimin me kryesinë e grave republikane, Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu ka vlerësuar maksimalisht programin e PD-së, ndërsa ka nënvizuar nëvojën e integrimit të saj me programin e aleatëve. Mediu ka lënë të hapur në këtë mënyrë negociatat me PD-në, duke lëshuar sinjale se mund të arrihet një marrëveshje, sa kohë që tanimë republikanët po fokusohen tek programi i opozitës dhe jo më të pesha e saj elektorale.
“Unë vlerësoj maksimalisht të gjithë programin që ka nxjerrë Partia Demokratike, i cili është një program shumë shpresëdhënës, një program konkret dhe real për kapërcimin e pasojave që ka krijuar regjimi i korruptuar i Edi Ramës, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në element të tjerë shumë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me funksionimin e demokracisë shqiptare dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.
Por ajo që është e domosdoshme sot është që ky program që është paraqitur nga Partia Demokratike, duhet patjetër të integrohet me programet e partive të tjera të opozitës, për të krijuar programin e qeverisjes së qytetarëve shqiptarë, në interes të Shqipërisë, në shërbim të interesave tona kombëtare.
Për më tepër, është e domosdoshme që në këtë situatë të rëndë, të një krize politike, të një krize institucionale, krize morale, ekonomike, ne të thërrasim në mbështetje të interesave të Shqipërisë, kualitete të cilat të ofrojnë në fushën e kulturës, të mjekësisë, ekonomisë, një qeverisje kualitative”, tha Mediu.
“Pra është e rëndësishme, shtoi ai, që ky program po ashtu të shoqërohet me njerëz kualitativë, të cilët do të jenë pjesë e qeverisjes së nesërme dhe jo vetëm thjesht njerëz të politikës opozitare”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.