Politike

Basha i bllokuar rrugës për në Shkodër: Situata e rëndë nga moti, qeveria dështoi

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bllokuar në rrugë gjatë udhëtimit të tij për në Shkodër, tha se situata në rrugë është e rëndë. “Kam një kohë të gjatë i bllokuar në trafik në rrugë. U nisa drejtë Shkodrës për të qenë pranë banorëve të Shkodrës të cilët po kalojnë një situatë dyfish të vështirë, përmbytjen dhe borën me ngricat. Ndërkohë kemi mbetur në një zonë përtej Shënkollit, midis Shënkollit dhe Tales, pra para Lezhës, ku kanë mbetur shumë automjete me familjarë brenda”, tha Basha në mbrëmje.

Kryetari i PD deklaroi se Shqipëria ka mbetur e bllokuar për shkak të kësaj situate të rënduar dhe se nuk kemi parë marrjen e asnjë mase për ti mbajtur të hapura akset kryesore kombëtare. “Situata zgjidhet duke marrë masat paraprake sepse dihet që para 3-4 ditësh që e shtuna dhe e diela do të sillte reshje dëbore dhe ngricë ndaj duhet të ishin marrë masat, ju e dini fare mirë që kjo është detyrë e qeverisë e cila si në shumë fusha të tjera ka paguar para, paratë e shqiptarëve për koncesionet e mirëmbajtjes dimërore që do të thotë hedhja kripës, do të thotë borëpastruese dhe në një nga akset kryesore të vendit atë që lidh Tiranën me Shkodrën nuk kam parë personalisht gjatë gjithë kohës që kam qenë në këtë aks, nuk kam parë asnjë veprim të tillë, asnjë hedhje e kripës as borëpastruese”, tha Basha.

Kryetari i PD tha se situata e krijuar është prova se kjo qeveri ka dështuar.

“Ky është një dështim i përsëritur, është një dështim i përsëritur. Shkodra ka pothuajse 40 ditë nën ujë. Qeveria thjeshtë është e dorzuar, ja ka dorzuar Shqipërinë fatit dhe fati, natyra, këto ditë është treguar goxha e ashpër me rreshjet, borën”, tha ai. Ai deklaroi se koncesionarët marrin paratë dhe nuk bëjnë punën. “Por përgjegjsia për t’i mbikqyrur është e qeverisë. Qeveria mbron interesin e qytetarëve apo më mirë të themi duhet ta mbronte. Qeveria j ka dhënë këto kontrata, qeveria është ajo që duhet të sigurojë zbatimin e këtyre kontratave”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë