Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Tiranës, kryeministri Edi Rama tha se, arrestimi i gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, dhe vendimi i Gjykatës së Strazburgut për vettingun tregojnë se drejtësia shqiptare po kalon në një fazë tjetër.
“Ka ndodhur diçka historike, që ka kaluar thuajse pa u vënë re. Arrestimi i gjykatëses në Krujë dhe i gjithë rrjetit të saj dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut për të refuzuar kërkesën e një subjekti të goditur nga Vettingu, duke e konsideruar goditjen nga Vettingu një goditje legjitime, përbëjnë një moment historik të kalimit në një fazë tjetër në drejtësinë shqiptare…
Fakti është që një gjykatëse, një monstër, që e përdori në mënyrë spektakolare forcën e papërgjegjshmërisë dhe të abuzimit disa kohë më parë dhe u bë atëherë u habit gjithë dynjaja me vendimet e saj për të liruar njerëz që ishin me burgime të përjetshme dhe për t’i nxjerrë në rrugë të lirë, është sot në burg, tani që flasim, bashkë me gjithë rrjetin e saj.
Ky përbën shembullin se si sistemi do të funksionojë”, tha Rama, duke kërkuar durim.
“Duhet shumë durim, se ngritja e institucioneve të reja, krijimi i SPAK, vënia në funksion, fillimi i proceseve hetimore, mbledhja e provave, janë proces i vështirë, kërkojnë kohën e vet… Kjo është shenjë e sigurt që sistemi ka filluar të funksionojë”, u shpreh kryeministri.
Rama paralajmëroi se në listat e partive të opozitës për deputet, veçanërisht LSI, do të ketë prokurorë të shkarkuar nga vettingu.
“…Fitohet dot beteja për drejtësinë me këta që bëjnë takime me prokurorët dhe gjykatësit e hequr nga Vettingu dhe që i turren edhe SPAK-ut. Me këta që do t’i shikoni. Do t’i keni edhe nëpër lista. Sidomos te lista e presidentit nuk do të çuditem fare po të shoh ndonjë prokuror që e ka hequr Vettingu të shfaqet si luftëtar i lirisë dhe integrimit. Por edhe në mos qofshin në lista janë një nga grupet më aktive”, tha ai.
Rama ka reaguar edhe pas sekuestrimit të një shume të madhe parash në banesën dhe në zyrën e mjekut të QSUT, Edvin Prifti nga përgjimet e SPAK.
“Bashkë me gjykatësen u arrestua një mjek, që iu gjetën në shtëpi paratë e dynjasë. Është një lajm shumë i mirë për sistemin, sepse kjo do të rrisë besimin e njerëzve që të denoncojnë.
Në rastin e mjekut ka pasur një denoncim, që e ka përcjellë drejtori i spitalit në sistem. Dhe kështu gjërat fillojnë e vijnë hap pas hapi. Nuk ka shkop magjik”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.