24 orë pas arrestimit të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, vjen edhe reagimi i parë i PD-së, jo zyrtar. Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo shkruan në Facebook se nga SPAK pritet arrestimi i peshqve të mëdhenj, ose më saktë siç përshkruan ai, i peshkaqenëve.
“Veprimet e SPAK- ut kundër gjyqtarëve e të tjerëve që nxirrnin tak fak kriminelët nga burgu duhen përshëndetur e të dyshuarit duhet të përballen me drejtësinë.
Por sfida reale e SPAK- ut nuk do të ishin peshqit e vegjël qofshin edhe piranja.
Në favor të interesit publik duhet me ndershmëri të kujtojmë se kazuset me peshkaqenë do të dëshmonin pavarësinë dhe efektivitetin e tij”, shkruan Pollo, duke radhitur disa arsye.
“Fatkeqësisht deri sot në këto raste janë regjistruar dështime: Tahiri&kanabistët, Dosjet e votëblerësve Dibër e Shijak, Unaza e Re, Inceneratorët e të tjera si këto.
Kur SPAK-u të ndërmarrë operacione rrufe si dje në Krujë edhe për dosjet e mësipërme do të meritojë e do të ketë besimin e plotë të opinionit publik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.