Ka ndodhur

Arrestimi i gjyqtares, KLGJ: Kemi marrë masa për vijimin e punës në Gjykatën e Krujës

Pas arrestimit të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, me urdhër të SPAK gjatë paradites së kësaj të enjteje, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të kësaj gjykate të akuzuar për korrupsion, ka reaguar Këshilli i Lartë Gjyqësor.

KLGJ shprehet se do të merren masat që puna në këtë gjykatë të vijojë normalisht dhe pa penguar punën e saj dhe proceset ndaj qytetarëve.

“Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë lidhur me arrestimet e kryera nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi. Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë, procese të cilat duhet të zhvillohen pa asnjë ndikim, të çfarëdolloji”, thuhet në reagimin e KLGJ.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehet se respekton pavarësinë institucionale dhe të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt ligjor.

Ndër të tjera, KLGJ thekson se do të marrë në vazhdimësi të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë