Nuk ka ende një përfundim zyrtar të negociatave mes PD-së dhe PIDU-së, por Shpëtim Idrizi siguroi para takimit me kreun e demokratëve, Lulzim Basha se mes tyre do të ketë një marrëveshje.
“Nuk ka asnjë dyshim që PDIU do të jetë në krah të Partisë Demokratike dhe do të ketë një marrëveshje. Kjo është e qartë dhe nuk ka dyshim.
Ne po bëjmë një diskutim shumë më të gjerë së sa kaq. Kjo është një listë e opozitës së bashkuar, ne i kemi vendosur piketat në ato zonat ku PDIU ndihmon për të prodhuar mandate për listën e opozitës së bashkuar.
Sigurisht që edhe për PDIU-në dhe partitë e tjera është dizejnuar një marrëveshje dhe do të ketë një moment të nënshkrimit formal të saj. Ndaj dhe them që nuk ka dyshim që do të ketë një marrëveshje. Nuk bëhet fjalë për vende të sigurta apo të pasigurta, por për pozicione, ku valenca e PDIU është e qartë dhe ndihmon për mandate”, tha Idrizi për mediat.
Kryetari i PDIU-së është ne negociata me demokratët për të pasur dy vende të sigurta në listat e PD-së, një në Tiranë ku me gjasë do të jetë vetë, dhe një në Fier. Megjithatë as PD dhe as PDIU nuk kanë dhënë prononcime zyrtare mbi çfarë po negociojnë.
Pas takimit me Idrizin, në selinë plu pritet te mbërrijë kryetari i PR-ë, Fatmir Mediu, edhe ai për të njëjtën çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.