Pika Kufitare e Kapshticës do të vijojë të jetë e mbyllur deri më 22 shkurt.
Prej nëntorit kalimi në këtë pikë që lidh Greqinë me Shqipërinë qëndron e mbyllur, teksa lejohen vetëm daljet nga Greqia në drejtim të Shqipërisë vetëm për këmbësorët dhe kamionët e mallrave.
“Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 22.02.2021.
Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur”, thuhet në njoftimin e Policisë Kufitare.
Dy ditë më parë ishin drejtuesit lokalë të bashkive veriperëndimore të Greqisë që do të dorëzonin një kërkesë për rihapjen e pikës kufitare Krystallopigi-Kapshticë, pasi po hasen probleme me kamionët e mallrat, por duket se autoritetet greke nuk e kanë marrë parasysh pasi në vendin fqinj shifrat po rriten me hyrjen e varianteve të reja të COVID-19.
Policia Kufitare thotë se dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamionë mallrash). Mjetet si autobusë, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.