Politike

Rama pranon korrupsionin në shëndetësi: Do ta luftojmë me autonomi spitalesh, mjekët do paguhen sipas performancës

Kryeministri Edi Rama pranoi korrupsionin e lartë në sistemin shëndetësor në vend, por tha se ai do të luftohet duke u dhënë autonominë spitaleve. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Sarandës këtë të diel, ai iu referua modelit të menaxhimit të spitaleve në Turqi, ku mjekët e infermierët paguhen në bazë të volumit të punës.
Rama u shpreh se lufta ndaj korrupsionit realizohet përmes digjitalizimit të sistemeve.
“Që ka korrupsion, ka korrupsion, kjo është pak, por e sigurt. Që ka korrupsion akoma në hipoteka, kjo nuk diskutohet. Që ka korrupsion akoma në dhënien e marrjen e lejeve të ndërtimit, kjo nuk diskutohet. Që ka korrupsion në prokurime, kjo nuk diskutohet. Që ka korrupsion në sistemin shëndetësor, kjo nuk diskutohet. Që ka korrupsion edhe në sistemin arsimor, sidomos universitar, kjo nuk diskutohet. Ju kthej prapë, tek ajo pamja e kantiereve të ndërtimit sot, pamja është shumë e mirë, shumë optimiste, ose më shpresëdhënëse se ditët pas tërmetit, por nuk është pamja e lagjeve, që janë gati për tu jetuar me cilësi”, tha Rama.
“Ne kemi bërë përmirësime të jashtëzakonshme në shërbimin ndaj qytetarëve, përderisa janë miliona shërbime, miliona shërbime për dokumente, që nuk janë kryer duke shkuar qytetari tek sporteli, por online, në rrugë digjitale. Janë miliona e miliona ecejake të neutralizuara dhe mundësi korrupsioni të eleminuara, pasi kur bëhet në rrugë digjitale s’ka ku të bëhet korrupsion, se tek kompjuteri s’paguan dot lekë. Tek hipoteka ka korrupsion, se jo të gjitha shërbimet janë të digjitalizuara, pasi ka zona që s’ka harta të digjitalizuara dhe aty futet njeriu dhe kur futet njeriu…”,- shtoi Rama.
“Shëndetësia nuk diskutohet që ka problem, që lidhen me korrupsionin, për sa kohë ka shtrirje dore ndaj pacientëve dhe për sa kohë ka pacientë apo familjarë që paguajnë. Tirja është fytyra e së keqes brenda sistemit të shëndetësisë, fytyrë që është zvogëluar shumë në krahasim me të shkuarën, padyshim për këtë, por problemi mbetet. Por siç thashë, jemi në kantier”, nënvizoi Rama.

Sipas tij, “nuk mund të kemi zgjidhje përfundimtare të korrupsionit në shëndetësi, deri kur të bëjmë kalimin tek autonomia në shëndetësi. “T’u japim mjekëve mundësi që mjeku që punon më shumë, që bënë më shumë ekzaminime, fiton më shumë. Mjekët dhe infermierët në spitalin publik, duhet të ndjehen po aq të motivuar , sa në spitalin privat. Jemi në kushtet kur mund ta çojmë përpara këtë projekt. Spitali i Fierit ka këtë në model qendër, pasi do jetë një spital publik, rajonal publik, por do të jetë një model menaxhimi si në Turqi. Në Turqi nuk marrin të gjithë njëlloj, pasi spitalet publike në Turqi i menaxhojnë privatët”, tha Rama.
“Të gjithë suportin, çarçafë, batanije, ushqimin, aparaturat, ngrohjen, e menaxhon privati. Të gjithë të tjerët, mejkët, infermierët..etj, janë publike. Aty do ndërtojmë një model që do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë”, vijoi Rama.
“Mjekët do të paguhen në bazë të performancës, spitalet do të kenë të drejtën t’i menaxhojnë vetë të ardhurat e tyre. Brenda spitalit publik, ata mund të punojnë edhe 16-orë edhe 18 orë, sa të duan, dhe marrin para më shumë dhe s’kanë nevojë të punojnë 8 orë tek publiku dhe më pas tek privati. Pse nuk ka më korrupsion në emërimin e infermierëve dhe mësuesve? Deri para shtatë vjetësh bëheshin me letër me vrimë, ose me lekë, ose me parti, merre mësuesin flake, e çoje në anën tjetër të vendit, se i doli emir atij të partisë”, tha kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë