Politike

Shpëtim Idrizi “presion” Bashës një ditë para takimit, PDIU u regjistrua në KQZ

Sa më shumë ngushtohen afatet për t’u regjistruar në zgjedhjet e 25 prillit, aq më tepër duket se shtohet presioni i aleatëve ndaj Lulzim Bashës. PDIU u regjistrua më vetë në këto zgjedhje, ndërkohë që publikisht deklarohet se vijojnë negociatat me Partinë Demokratike për formimin e koalicionit.

Kërkesa u shqyrtua këtë të premte në mbledhjen e KQZ-së, e cila e gjeti kërkesën për regjistrim në përputhje me ligjin dhe e regjistroi, ndërkohë që të shtunën, Lulzim Basha do të ketë një takim me Shpëtim Idrizin, që mund të jetë përcaktues për fatin e koalicionit, ose jo.

Nëse nga ky takim do të ketë dakordësi, PDIU mund të tërhiqet nga regjistrimi si subjekt më vete dhe të bëhet pjesë e listave të PD-së, ndërkohë që nëse dakordësia mungon regjistrimi do të mbetet në fuqi

Lëvizja e PDIU-së mund të interpretohet si kundërpërgjigje ndaj presionit të Partisë Demokratike, që ende nuk ka një marrëveshje me këtë parti dhe me republikanët e Fatmir Mediut. Si Shpëtim Idrizi, ashtu edhe Mediu kërkon më tepër se një mandat të sigurtë në 25 qershor, ndërsa Lulzim Basha u ka ofruar vetëm një.

Pavarësisht negociatave në proces e sipër, PD nga ana tjetër ka publikuar emrat e 8 drejtuesve politikë të Qarkut të Tiranës. Duke drejtuar vetë listën për Tiranën dhe duke marrë të mirëqenë se aty do të jetë edhe Sali Berisha, bashkë me 8 emrat që mbulojnë zonat e Tiranës dhe emrin e Dashamir Shehit nga aleatët mund të thuhet se Basha, 11 emrat e parë i ka mbyllur, me saktë lista fituese nëse do t’i referohemi mandateve, që ajo mori në zgjedhjet e 2017-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë