Politike

Dekriminalizimi, ISP: Deklaratat e Kryeministrit shqetësuese

Instituti i Studimeve Politike i vlerëson si shqetësuese deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me dekriminalizimin dhe pastrimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Disa komente të Kryeministrit kundër diplomatëve perëndimorë që inkurajojnë kandidatë të pastër në zgjedhjet 2021, cilësimi prej tij i ligjit të dekriminalizimit si antikushtetues, marrja në mbrojtje e rasteve të krimeve të hershme apo ikja nga përgjegjësia për mundësinë e përfshirjes së kandidatëve me rekorde kriminale në zgjedhjet 2021, janë shqetësuese, kthim pas dhe mesazh negativ për integritetin e zgjedhjeve dhe të vetë partive politike”, thotë ISP.

Përmes një reagim, ISP i jep të drejtë Kryeministrit kur thotë se Shqipëria është i vetmi vend në Europë me legjislacion kaq të ashpër në këtë temë, por e vlerëson këtë legjislacion si pasojë e papërgjegjshmërisë së klasës politike që për interesa elektorale dëmton imazhin e Shqipërisë.

“Partitë dhe liderët e tyre që kanë promovuar kandidatë me rekorde kriminale duhet të ndjehen kokëulur dhe të kërkojnë ndjesë, sepse për shkak të interesave afatshkurtra elektorale i kanë dhënë një imazh negativ Shqipërisë, duke e bërë vendin e vetëm në Europë me legjislacion kushtetues dhe organik kundër dekriminalizimit”, vijon deklarata.

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 ISP ka nxitur vazhdimisht partitë politike të publikojnë CV e kandidatëve përpara votimit, të dërgojnë listën e kandidatëve me rekorde të paverifikuara në prokurori dhe të largojnë nga listat e tyre, stafet elektorale, koordinimi zonal dhe struktura partiake të gjithë individët e larguar nga procesi i dekriminalizimit, ata që janë në shkelje të këtij ligji si dhe ata që janë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë