Ka ndodhur

Moti i keq / Probleme në Shkodër, Lezhë dhe Elbasan

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë sërish probleme në disa qytete të vendit. Më problematike situata paraqitet në Shkodër, Lezhë dhe Elbasan.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka bërë një bilanc të situatës, ndërsa ka bërë me dije se niveli i ujit në disa zona të qarkut është rritur për shkak edhe të reshjeve me intensitet të lartë. Mësohet se është bllokuar rruga Muriqan-Goricë, ndërsa aksi i Onotit nuk kalohet as me makina të ushtrisë.

Po ashtu, raportohet se në Dajç ka rritje të sipërfaqes së përmbytur dhe prezence më të madhe të ujit rreth banesave. Deri më tani 1350 ha tokë bujqësore rezulton e përmbytur (fshatrat Darragjat, Shirq, Mushan, Suka-Dajç, Belaj, Pentar).

Ademi ka bërë me dije se është bllokuar dhe rruga Darragjat-Shirq, vendi i quajtur Urrelat e Shirqit, ndërsa lartësia e ujit arrin në 130-150 cm. Ndërkohë që ka prezencë të ujit në oborret e 80 banesave, ndërsa Ademi apelon se duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe të ndërhyhet për të dhënë ndihmë për ushqime për banorët por edhe për kafshët.

Lezhë, 130 ha tokë bujqësore e përmbytur

Reshjet e shiut në Lezhë kanë sjellë në fryrjen e lumenjve Drin, Gjadër, Mat e Drojë me 30-50 cm, por pa probleme.

Ndërkohë, nën ujë janë 130 ha tokë bujqësore, konkretisht në Bashkinë Lezhë kemi rreth 100 ha, në ish kënetën Torovicë dhe në Bashkinë Kurbin kemi rreth 30 ha, në ish kënetën Gjorm.

Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë për evadimin e ujërave dhe rezervuaret nuk paraqesin problem, por janë në monitorim nga autoritetet.

Elbasan, rënie gurësh dhe mungesë energjie në disa zona

Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit reshjet e shiut kanë shkaktuar rënie gurësh, inertesh dhe rrëshqitje dherash në shumë prej akseve rrugore të këtij qarku. Probleme janë shkaktuar në aksin Elbasan-Qafë Thanë dhe Kryq i Shirgjanit-Llixhë, (rruga e vjetër Elbasan-Gramsh).

Firmat kontraktuese kanë marrë masat dhe kanë pastruar akset rrugore nga materialet e rëna. Po punohet aktualisht në aksin rrugor Gramsh-Poroçan në të cilën kemi shembje rrugë dhe është krijuar problem në qarkullimin e mjeteve.

Nga hidrocentrali i Banjës njoftohemi se po bëhen shkarkime me 50m3/sek, kështu që bashkë me prodhimin kemi 150m3/sek shkarkime në lumin Devoll.

Në furnizimin me energji elektrike kemi ndërprerje të energjisë në disa pjesë të Njësisë Administrative Lunik, Orenje në bashkinë Librazhd, në Njësinë Administrative Tregan, Njësinë Administrative Shirgjan bashkia Elbasan, Njësinë Administrative Gostimë e Cërrik dhe fidri që furnizon zonën e Mokrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë