Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, prezantoi programin ekonomik të PD-së që synon ta zbatojë nëse fiton zgjedhjet e 25 Prillit.
Një program ambicioz e për pasojë i dyshimtë nëse do të mund të zbatohet nisur nga fatura e madhe financiare që shoqëron zbatimin e këtij projekti. Basha foli për shumëçka, por nuk përcolli faturën e këtij programi, dhe kryesorja ku do t’i gjejë ato para.
Lulzim Basha prezantoi pikat kryesore, ndërsa grupi i eskpertëve u ndal me konkretisht në çdo pikë të saj.
Objektivi kryesor i PD-së, sipas Bashës, do të jetë dyfishimi i të ardhurave për frymë.
Pikat kryesore të programit të PD-së janë:
Dyfishim i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, krijimi i 110 mijë vendeve të reja të punës, paga minimale 36 mijë lekë në muaj, ulja e taksave mbi të gjitha llojet e të ardhurave, taksa e sheshtë 9% mbi të ardhurat mbi 30,000 lekë, tatimi mbi të ardhurat do të përfshijë taksimin e të ardhurave të individit dhe të organizatave biznesore me një shkallë tatimore prej 9%, akcizat do të jenë të aplikueshme vetëm për nënproduktet e naftës, alkoolit dhe duhaneve në shkallë tatimore që shkojnë në linjë me praktikën më të mirë evropiane. ulja e detyrimeve për sigurime shoqërore në 18%, totali i taksave dhe tarifave për biznesin e vogël do të jetë 0.5%, do të anulohet taksa 24 lek/l karburant, pensionet do të rriten jo më pak se 5% në vit, ulje e çmimit të energjisë elektrike konkretisht ulja e çmimit të energjisë për konsumin deri në 300 kWh, mbulimi i tarifave të studimeve për 90% të studentëve, tekstet shkollore falas, 3 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë 5 vitet e para të jetës, mbulimi i interesave të kredive për 5 mijë çifte të reja çdo vit, 100 milion euro në vit financim direkt për fermerët, rritje e pagave të arsimtarëve me 60%, 1200 euro paga për mjekët, 700 euro paga për infermierët
“Ky është plani ynë i punës, ky është programi ynë qeverisës!
Së bashku do ta zbatojmë dhe do të bëjmë të mundur një të ardhme më të mirë për të gjithë…”, tha Basha, duke nënvizuar se programi i tij nuk është thjesht një premtim elektoral, por plan pune për të nesërmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.