Ka ndodhur

Ministrat Peleshi e Ekonomi në zonat e përmbytura në Durrës: Situata drejt përmirësimit

Lumi Erzen është tërhequr në shtratin e tij, por shumë shtëpi mbeten ende nën ujë në njësinë administrative Katund i Ri në Bashkinë e Durrësit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një vizitë në zonat e përmbytura në Durrës, ku shoqërohej edhe nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, konstatoi përmirësimin e situatës.

Peleshi siguroi gatishmërinë e FA dhe vuri theksin te mësimet që duhen nxjerrë me qëllim që reshjet e dendura dhe dalja nga shtrati i lumit Erzen të kenë sa më pak pasoja.

“Le të themi e kemi kaluar pikun, situata sot është duke u përmirësuar, reshjet kanë mbaruar, uji po tërhiqet por ka ende familje nën ujë. Unë dua të falënderoj forcat tona të ushtrisë që kanë qenë në gatishmëri që ditën e parë, kanë evakuuar disa familje që janë strehuar në Konvalishencë, një pjesë tjetër te familjarët e tyre, një pjesë që nuk kanë pranuar të dalin, por që nuk kanë qenë në rrezik, sepse kur ka rrezik pranon apo nuk pranon familja, evakuimi është i detyruar. Do vazhdojmë të jemi këtu në gatishmëri, ndonëse pritet që dy ditët në vazhdim të ketë mot të mirë. Jemi të pajisur, kemi mjete kalueshmërie të lartë, kemi mjete të vogla lundruese, gjeneratorë dhe gjithçka tjetër që nevojitet, forca njerëzore, forcat e ushtrisë. Duhet thënë që, kur ka raste të tilla duhet të nxjerrim dhe mësime”, u shpreh ai.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, kërkoi bashkëpunim nga banorët e zonës për të liruar dhe zhbllokuar kanalet e niveleve të treta.

Ndërkohë, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, falënderoi Forcat e Armatosura për angazhimin në terren dhe njoftoi se me përmirësimin e situatës do të nisë edhe vlerësimi i dëmeve.

Gjatë ditëve të fundit, Forcat e Armatosura kanë evakuuar disa familje në Katundin e Ri, një pjesë prej të cilave janë strehuar në Konvaleshencën e Durrësit.

Ndërkohë, në Shkodër vijon prej tri javësh transporti i banorëve të Obotit, ndërkohë që ditën e djeshme janë evakuuar edhe disa krerë bagëti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë