Art dhe Kulture

“Teatri vazhdon”… por online

Në një kohë që institucionet teatrore nuk i kanë çelur dyert fizikë, Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit këtë vit nuk na gjen në skenat që do të dëshironim, por do të vijë në versionin online.

Dy institucionet teatrore në vendin tonë, Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” po bashkëpunojnë për të sjellë festivalin, por në formatin online, për shkak të situatës së krijuar.

Në një njoftim nga Teatri Kombëtar thuhet se, ky festival është i hapur për të gjithë teatrot e trevave shqipfolëse.

“Ftojmë të gjithë teatrot zyrtarë dhe skenën e pavarur të bëhen pjesë e ‘Festivalit Mbarëkombëtar Online’ dhe t’i bashkohet thirrjes tonë: ‘Teatri vazhdon’. Të gjitha shfaqjet do të transmetohen livestreaming në Facebook-un e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe teatrove pjesëmarrëse, duke filluar prej datës 23 shkurt”, thuhet në njoftimin për festivalin që pritet të mbahet këtë vit.

Dy institucionet teatrore bëjnë me dije, se ftojnë që të dërgohet shfaqje e regjistruar për ata që do të përfaqësohen në festival, sipas kritereve.

Për “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Online” që këtë vit do të zhvillohet për herë të parë, mes kritereve thuhet se shfaqja dhe muzika duhet të kenë të drejtën e autorit.

“Shfaqja të jetë e regjistruar në mënyrë profesionale (zëri të jetë i qartë dhe i dëgjueshëm, të jenë 2 ose më shumë plane të shfaqjes). Shfaqja dhe muzika të kenë të drejtën e autorit, në të kundërt Facebook do ta bllokojë transmetimin, për shkelje”.

Në vitin 2018 “ArTurbina” hapi dyert për të mirëpritur “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit”, ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit dhe u ngjitën në skenë 14 trupa teatrale nga të gjitha trevat shqiptare.

Edhe në botë Teatri vijon që të jetë në pandemi. Për të rikthyer aktive botën kulturore, spanjollët dolën me parullën “Kultura është e sigurt” në mënyrë që të mbahen hapur teatrot, operat, kinematë dhe muzetë e saj ndërkohë që dhe pjesa tjetër e Evropës ka vendosur ta kopjojë atë.

Flitet të paktën për teatrot e saj, të cilat aktualisht janë të mbyllura në pjesën më të madhe të kontinentit. Teatrot janë të mbyllura në Belgjikë, Holandë, Francë, Austri, Zvicër, Itali, Greqi ose Mbretëri të Bashkuar. Deri dje Portugalia rezistoi, por qeveria njoftoi se po i mbyll ato për të ndaluar valën e tretë të pandemisë, megjithëse ceremonitë fetare mund të vazhdojnë të mbahen.

Kështu u bë publike një letër e hapur drejtuar Parlamentit Evropian nënshkruar nga emra të mëdhenj në teatrin në kontinentin e vjetër që pretendon se kultura është e sigurt dhe gjithashtu e nevojshme dhe se duhet të ketë një konsultë europiane për të vendosur se çfarë vendi zë në projektin tonë të shoqërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë