Portugalia prezantoi prioritete e presidencës së saj të Bashkimit Europian, ku tema e zgjerimit ka kaluar në plan të dytë dhe ndër prioritetet e fundit në lidhje me politikën e jashtme të BE-së.
Sipas dokumentit zyrtar të prezantuar në Parlamentin Europian, presidenca 6-mujore portugeze do të përqëndrohet tek kriza ekonomike dhe veçanërisht zbatimi i mëtejshëm e alokimi i fondeve të BE-së përmes mekanizmave të përgjigjes së shpejtë masat për të zbutur ndikimin social të kësaj krize.
Pavarësisht se ka dalë në plan të dytë, ministri i Jashtëm portugez, Augusto Santos Silva e ceku këtë temë gjatë fjalës që pati para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
“Ne synojmë hapjen e kapitujve të mëtejshëm të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi. Gjithashtu duam të tentojmë aprovimin e kuadrit negociues, si dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, deklaroi ai.
Da Silva nënkuptoi se nisur nga rrethanat e krijuara edhe për shkak të pandemisë ky objektiv është i vështirë. Si pengesë kryesore përmendi Bullgarinë dhe veton e vendosur prej saj në rastin e Maqedonisë së Veriut për çështjen e gjuhës dhe historisë dhe përplasjeve të tjera dypalëshe që kanë.
Sa i takon prioriteteve kryesore në politikën e jashtme, Portugalia tha se do të përqëndrohet në rivendosjen e dialogut dhe riparimit të bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, forcimin e bashkëpunimit me vendet e Azisë, sidomos me Indinë, forcimin e bashkëpunimit me Afrikën, përqëndrimi tek Amerika Latine dhe modernizimi i marrëveshjeve tregtare me këtë rajon.
Kalimi në plan të dytë i zgjerimit ishte i pritshëm. Portugalia merr Presidencën e saj pas Gjermanisë. Për shkak të periudhës së shkurtër 6-mujore të drejtimit dhe për të garantuar vazhdimësinë e shmangur “kaosin” e prioriteteve, në praktikën e BE-së grupohen tre presidenca bashkë. Gjermania ishte e para, ndjekur nga Portugalia dhe më pas nga Sllovenia në gjysmën e dytë të këtij viti.
Gjatë drejtimit të BE-së nga Gjermania përpjekjet për të avancuar agjendën e zgjerimit u eklipsuan nga kriza e koronavirusit. Në këtë periudhë u hartuan strategjitë, mekanizmat dhe përcaktuan fondet e posaçme për ta përballuar këtë krizë. Kjo orientoi edhe prioritetet për dy presidencat pasaardhëse.
Në programin e tyre të përbashkët, Gjermania, Portugalia dhe Sllovenia zotohen të përqëndrohen në ringritjen ekoknomike dhe sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.