Shendet

Pipero me Covid, 2 javë pasi bëri vaksinën. Alimehmeti: Mundësia e infektimit edhe pas 2 dozave

Dy javë pasi mori vaksinën anti-covid, mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero infektohet me koronavirus.

Rezultati i testit të tij ka dalë pozitiv, pikërisht 14 ditë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer dhe një javë para se të merrte dozën e dytë.  

Aktualisht mësohet se Pipero është në gjendje të mirë, pasi i janë shfaqur vetëm simptoma të lehta, si dhembje koke.

Infektimi i Piperos është rasti i parë në vendin tonë që një person infektohet me Covid, pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës.

Alimehmeti: Mundësia e infektimit ekziston edhe nëse ke bërë të 2 dozat

Lidhur me infektimin e Piperos, epidemiologu Ilir Alimehmeti ka deklaruar se edhe në rast se një person bën dy dozat e vaksinës ndaj COVID-19, sërish ekziston mundësia e infektimit.

Alimehmeti thotë se vaksina në 10-12 ditët e para nuk është në lojë, pra personi që i është injektuar mund të quhet në këto ditë i pavaksinuar.

Por sipas tij ka dhe raste të pashpjegueshme për të cilët nuk bëhet krahasim, por ai kujton se edhe Pfizer e ka deklaruar qartë se efektiviteti i vaksinës është 94.7%, pra përqindja që ngelet ka mundësi që vaksina të mos jetë efektive.

”Megjithatë 10-12 ditët e para vaksina s’është në lojë, quhemi të pavaksinuar. Edhe kur ke bërë 2 dozat me procedurë rigoroze, është mundësia e infektimit.

Ajo që kemi nga Pfizer, është ky informacion, kemi mesatare. Bëhet nga individë të ndryshëm. Ka dhe raste të pashpjegueshme. S’mund të bëjmë dot krahasim. Do dokumentohet shumë shpejt situata ku jemi. Ajo që është e sigurt, është që vaksina prodhon përgjigje, nuk është 100%. Është diçka teknikisht e pritshme. Pra edhe total, edhe po ka bërë dy dozat siç duhet brenda 21 ditëve, Pfizer deklaron efektivitet 94.7%. Ka të infektuar edhe tek të vaksinuarit. Një dozë vetëm ofron më pak mbrojtje, prandaj është e pranusehme që shifrat të jenë më të larta. Izraeli ka vaksinuar 47% të popullsisë, efektiviteti me një dozë është 33%”, u shpreh Alimehmeti.

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, pas vaksinimit në një intervistë për gazetën “Si” do të shpjegonte se njerëzit nuk duhet të jenë skeptik për të bërë vaksinën.

Ndër të tjera, Pipero do t’i shpjegonte gazetës se personat që e kanë kaluar virusin Sars-Cov-2 nuk duhet të bëjnë vaksinën, pasi kanë mjaftueshëm anti-trupa.

Pipero do ta vinte theksin edhe te kujdesi, pas marrjes së vaksinës, që sipas tij duhet i njëjti kujdes.

“Duhet të bëjnë të njëjtin kujdes, pra të përdorin maskën, të ruajnë distancën dhe të kenë kujdesin e duhur për higjienën e duarve. Madje ky kujdes duhet të na shoqërojë të gjithëve deri në fund të kësaj pandemie”, do të shprehej Pipero për Gazetën Si.

Infektimi i Piperos nuk është rasti i parë që ndodh në botë. Raste të tilla të ngjashme, pra që infektohet me COVID pas marrjes së vaksinës, janë regjistruar edhe në shtetet e tjera. Sipas Ekspertëve të Shëndetësisë, kjo ndodh pasi anti-trupat nuk janë aktivizuar ende, pasi është e domosdoshme marrja e dozës së dytë.

Sipas tyre, do  të duhen shtatë ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës që një person të jetë i mbrojtur ndaj virusit.

Nëse Pipero do të rezultojë pozitiv deri më 1 shkurt, atëherë kur është planifikuar që të merret doza e dytë për të vaksinuarit e ditës së parë, ai nuk do duhet të bëjë. Kjo pasi është e ndaluar që të infektuarit me COVID të bëjnë vaksinën.

Mjeku Pëllumb Pipero ishte në listën e 4 personave të parë që morën “live” dozën e parë të vaksinës, mes të cilëve ishte profesoreshë Najada Çomo, kryeministri Edi Rama dhe profesor Tritan Kalo.

Vaksinimi nisi zyrtarisht më 11 janar në vendin tonë me vaksina të Pfizer të dhuruara nga një shtet europian, për të cilin Rama zgjodhi që të mos e zbulonte.

Ndërkohë, vendi ynë është në pritje të 500 mijë dozave të vaksinës të siguruara nga marrëveshja me kompaninë Pfizer.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë