Shendet

Doza e parë e vaksinës, 2 javë për të krijuar imunitet

Shumë njerëz kanë raportuar se janë sëmurë me Covid-19 pasi morën dozën e parë të vaksinës.

Një infermier në Kaliforni ishte në faqet e para të gazetave pasi u infektua me Covid 6 ditë mbasi mori dozën e parë. Që nga ajo kohë, punonjës të tjerë të kujdesit shëndetësor kanë ndarë përvoja të ngjashme në mediat sociale.

Kirurgu i traumës Qaali Hussein për shembull, u infektua me covid 12 ditë pas dozës së parë të vaksinës.

Emily Porter një mjeke në Austin gjithashtu u infektua me Covid-19 disa ditë pasi u vaksinua. Josh Mugele një mjek i urgjencës në Gjeorgji, raportoi simptoma të lehta 8 ditë pas dozës së parë.

"Vaksina është arma më e mirë që kemi, por ne ende duhet të vendosim maskën, të lajmë duart dhe të ruajmë distancimin social" shkroi Mugele në Twitter.

Pavarësisht raporteve të infektimit me virus pas vaksinimit, ekspertët thonë se nuk ka arsye për shqetësim. Numri i dozave të marra, sa kohë duhet për të zhvilluar një përgjigje imune dhe koha e ekspozimit viral, të gjitha luajnë një rol në faktin nëse njerëzit që kanë marrë vaksinën do të sëmuren apo jo.

Gregory Poland, zëdhënës i Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës dhe mjek i cili studion vaksinat, tha se mund të duhen deri në 2 javë pas dozës së parë për të zhvilluar një përgjigje të mjaftueshme të antitrupave.

"Kur të merrni dozën tuaj të parë të vaksinës, do të zhvilloni një përgjigje imune nga ajo por kjo kërkon kohë prej 7 deri në 14 ditë që ajo përgjigje e antitrupave të zhvillohet, aq më pak të jetë në një nivel që është mbrojtës"tha ai.

Tre deri në katër javë pas injeksionit të parë, një dozë e dytë rrit përgjigjen imune.

Peter Katona një mjek i sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos tha se përgjigjja e thjeshtë se pse njerëzit po sëmuren pas vaksinimit është se imuniteti i mjaftueshëm nuk është krijuar ende.

Përveç numrit të dozave të marra dhe kohës që duhet për të zhvilluar imunitetin, Poland tha se logjistika e shpërndarjes për vaksinat mund të ndikojë gjithashtu në efikasitetin.

Të dyja vaksinat kanë udhëzime specifike dhe duhet të ruhen në temperatura jashtëzakonisht të ftohta. "Sapo vaksinat të tejkalojnë kohën që mund të jenë në frigorifer ose temperaturë dhome, ato fillojnë të degradojnë me shpejtësi në cilësi" deklaroi Poland.

"Edhe pse keni marrë dozën e parë apo dhe dozën e dytë, është shumë e rëndësishme që të gjithë të vazhdojnë të respektojnë masat e marra” tha Deepak Aggarwal, shefi i stafit mjekësor në Qendrën Mjekësore të Northeast Georgia në Gainesville, duke përfshirë larjen e duarve, maskën dhe distancimin social.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë