Ka ndodhur

SPAK arreston për korrupsion kreun e Kadastrës së Beratit

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për rrethin e Beratit është arrestuar këtë të martë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion.

Sipas njoftimit të bërë publik nga SPAK, drejtori i Kadastrës, Ervin Nelaj është arrestuar me dy akuzat, atë të korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Prokuroria e Posaçme thotë se ky ishte finalizim i një hetimi 9-mujor, mbi bazën e të cilit lindin dyshimet e arsyeshme se Nelaj u ka marrë parë qytetarëve në këmbim të legalizimit të pronave të tyre. Gjithnjë sipas këtij njoftimi, vepra penale është kryer në bashkëpunim.

“Ervin Nelaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Berat, në bashkëpunim me punonjës të tjerë në këtë institucion, kanë marrë në disa raste përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tyre, për legalizimin e objekteve informale dhe rregjistrimin e titujve të pronësisë”, thotë SPAK.

Ndaj Nelajt është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në marrjen e parave të qytetarëve në këmbim të legalizimit të ndërtesave.

Ky është arrestimi i dytë i SPAK brenda pak ditëve. Në të parin, me urdhër të SPAK u arrestuan dy punonjës të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit të Kamzës po me akuzën e korrupsionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë