Ngjarje

Moti i keq/ Në Fushë-Krujë mbi 50 banesa nën ujë, evakuohen 10 familje në Vlorë

Reshjet e shiut që përfshinë vendin tonë gjatë mbrëmjes së djeshme kanë sjellë sërish probleme në disa prej qyteteve dhe fshatrave.

Lumi Shkumbin ka pësuar rritje të nivelit të ujit ku ka dhe shumë prurje. Lumi Ishëm doli nga shtrati e për pasojë dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në fshatrat Murqinë, Mallkuç dhe Bilaj.

Ndërkohë në Fushë-Krujë janë nën ujë banesat në fshatrat Hamallaj dhe Perlat.

Vazhdon të çahet argjinatura e lumit Tana në disa vende në fshatrat Hamallaj dhe Perlat në Fushë Krujë. Uji ka rrethuar banesa dhe disa stane delesh duke përmbytur zonën përreth.

Rruga që lidh fshatrat Hamallaj, Perlat dhe Rrushkull të njësisë administrative Sukth me pjesën tjetër të vendit vazhdon të jetë e bllokuar pasi niveli i ujit në rrugë shkon mbi një metër.

Reshjet e shiut kanë sjellë përmbytje edhe në qarkun e Lezhës ku bashkia raporton se aktualisht janë 880 hektarë tokë nën ujë.

Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë për largimin e ujërave ku niveli i tyre është me tendencë ulje.

Rezervuaret janë në monitorim dhe momentalisht nuk paraqesin probleme

Problematike paraqitet në kanalin e ujërave të larta Mamurras, në segmentin Gjorem, ku ka banesa me prani uji rreth tyre.

Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, në tërësi është pa problem. Rrugët nacionale, rurale e bashkiake në tërësi janë të kalueshme. Probleme janë shfaqur sërish në akset rrugore, të fshatrave Gallatës dhe Vinjollës, në Milot, bashkia Kurbin, si dhe në aksin Rrëshen-Bukmir, bashkia Mirditë, nga rënia e inertëve ku po ndërhyhet nga bashkitë për pastrimin e tyre.

Përmbytje edhe në Shkodër

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe në Shkodër. Oboti është izoluar për shkak të përmbytjeve në zonën e nënShkodrës. Kreu i njësisë administrative Ana e Malit, Arben Ceni, shprehet se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Buna, gjë që ka sjellë edhe bllokimin e rrugës nga rruga nacionale Shkodër-Muriqan në drejtim të fshatit Obot.

Ai ka ripërsëritur apelin për furnizim me bazë ushqimore për bagëtinë, ndërkohë që rreth 100 shtëpi janë të izoluara nga uji.

Ndërkohë edhe qyteti i Bulqizës ka probleme. Një makinë është përmbytur nga uji në Bulqizë dhe ka ngelur në mes të fushës. Rruga që lidh Bulqizën e re me të vjetër është bllokuar nga uji, niveli i të cilit arrin deri në 1 metër. Kjo ka bërë që qytetarë për të kaluar atë të heqin këpucët dhe të zhvishen në temperatura të ulëta.

Në Kukës, ka pasur reshje bore dhe rrëshqitje dherash në disa akse rrugore. Gurët kanë bllokuar rrugën në Urën e Zapodit.

Ndërkohë, në Valbonë ka rënë borë 35 cm.

Më herët në 24 orët e fundit në qytetin e Kukësit pati reshje të dendura shiu. Ndërkohë rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht, ku problematikë ka pasur vetëm në aksin Fushë Dukagjin – Vrish.

Punonjësit e ARRSH-së po punojnë për pastrimin e rrugës dhe dherave.

Situatë kritike edhe në Vlorë

Ndërkohë, gjatë natës ka pasur përmbytje edhe në Vlorë, ku janë evakuar 10 familje.

Situata në Mifol gjatë natës ka qenë e vështirë ku niveli i Vjosës shkoj deri në 7.50m.

Gjatë natës ka pasur evakuime të 10 familjeve për shkak të prurjeve të shumta që ka pasur Vjosa, ndërkohë një biznes baxho është përmbytur duke i shkaktuar dëme të shumta , po ashtu dhe tokat anës lumit janë nën pushtetin e ujit.

Në qarkun e Korçës gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur reshje  shiu dhe dëbore e shkrirë me intensitet mesatar si dhe dëborë  në zonat 1250m mbi nivelin e detit.

Në rrugën e Dardhës, trashësia e dëborës arrin nga 5 cm – 8 cm. Aktualisht po punohet për mirëmbajtje dimërore me pastrim dëbore dhe kriposje.

Kalimi i mjeteve nga km 7 – 13 rekomandohet me zinxhirë ose goma dimërore për mjetet e vogla në orët e paradites.

Kalimi i mjeteve në akset e tjera rrugore pa probleme.

Përmirësohet situata në Durrës, tragetet nisin lundrimin

Një ditë pas bllokimit të linjës së trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas, me përmirësimin e kushteve, linjat janë hapur dhe vijojnë lundrimin e tyre sipas orareve të caktuara. Gjithashtu përmbytjet e ndodhura në Sukth dhe Katund i Ri, niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, ku rrugët janë të kalueshme, ndërsa nën ujë janë vetëm tokat bujqësore.

Niveli i ujit të lumit Erzen ka rënë me 2 metra, ndërsa ka një përmirësim të situatës nga nata e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë