Ka ndodhur

Vodhi pacientin me Covid tek Infektivi, arrestohet infermierja e spitalit

Policia e Tiranës ka arrestuar infermieren e Spitalit Infektiv, e cila u denoncua pak ditë më parë në emisionin investigativ “Stop” për vjedhjen e portofolit të një pacienti me Covid-19, si dhe kartën e tij bankare, teksa ky i fundit kishte ndërruar jetë.

Policia thotë se ka rënë në pranga infermierja e turnit, Ronida Hysa, pas kallëzimit nga djali i të ndjerit.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetases R. H., 30 vjeçe, banuese në Durrës. Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19”, njofton policia.

Djali i të ndjerit ka thënë në polici se infermierja ka tërhequr shumën prej 60 mijë lekësh nga karta e pacientit.

Policia thotë se në bazë të provave filmike ka rezultuar se edhe shuma e parave është tërhequr nga infermierja në spitalin infektiv, e cila ka pranuar autorësinë e ngjarjes, që është bërë mediatike edhe nga emisioni investigativ “STOP”.

Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime hetimore të mëtejshme, për veprat “Vjedhja” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë