Marrëdhëniet mes Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane mbeten ende pezull.
Në takimin me shtabin elektoral të njësisë bashkiake nr 1 në Tiranë, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu tha se, “Edi Rama do bëjë çmos për t`i manipuluar zgjedhjet”.
Në këto kushte, ai ka kërkuar bashkëpunim me PD jo vetëm në nivel politik, por edhe në bazë me çdo individ.
“Opozita duhet të kuptojë që detyra e parë e saj është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe, të mendojë që kjo fushatë është si gjithë fushatat e tjera, sikur jemi në Amerikë, apo jemi në një demokraci normale, do të ketë një gabim jashtëzakonisht të madh që do të ndëshkojë shqiptarët.
Prandaj kjo kërkon një vigjilencë të jashtëzakonshme dhe vendimmarrja nuk mund të mbetet thjesht tek lidershipi politik, në zyrat e PR-së apo të PD-së, por në uljen dhe konkretizimin e çdo marrëdhënie me çdo individ”, tha ai.
Më tej, Mediu nënvizoi: “Ajo që po kërkojmë ne është që të bashkëpunojmë me Partinë Demokratike në çdo qendër votimi, në mënyrë që të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të garantojmë që të gjithë qytetarët që duan të votojnë opozitën, pavarësisht se cilën parti politike, ne t`i çojmë në qendrat e votimit dhe të bëjmë të mundur që ata të votojnë të lirë…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.