Maskat prej pëlhure nuk garantojnë mbrojtje ndaj varianteve të reja të koronavirusit, për të cilat këshillohet mbajtja e një maske të thjeshtë kirurgjikale ose me të sofistikuar.
Autoritetet shëndetësore në Francë dhe Gjermani këshilluan sot qytetarët të ndakojnë së mbajturi maska prej cope. Variantet e reja të identifikuara në Britaninë e Madhe, Afrikën e Jugut dhe Brazil, raportohet të jenë të paktën 70 % më ngjitëse.
Franca pritet të shtrëngojë më tej masat kufizuese të pandemisë. Këshilli i Lartë për Shëndetin Publik ka deklaruar në fakt se shumë maska prej cope, shpesh të preferuara sepse lahen dhe përdoren përsëri, nuk garantojnë mbrojtje ndaj varianteve të reja.
“Ne nuk po vëmë në pikëpyetje dobinë e maskave të përdorura deri më tani”, shpjeguan autoritetet shëndetësore, por meqenëse kemi variante të reja, e vetmja gjë që mund të bëjmë është të përmirësojmë armët mbrojtëse që kemi”.
Gjithashtu edhe Gjermania ka njoftuar ndalimin e maskave prej pëlhure.
Autoritete kanë bërë me dije po ashtu edhe zgjatjen e karantinës deri në 14 shkurt. Ky vendim u mor gjatë një takimi virtual midis Kancelares gjermane Angela Merkel dhe guvernatorëve të 16 landeve gjermanë të mbledhur për të diskutuar shtrëngimin e masave anti-Covid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.