Politike

Nga pena tek fushata për vota, Basha çon pedagogun Tomor Alizoti në Berat

Kandidati më pak i kontestuar në garën për deputet nga baza demokrate për Tiranën, Tomor Alizoti, është emëruar drejtues politik në qarkun e Beratit. Lulzim Basha ka firmosur për emrin e tij, në një zonë ku PD-ja ka vështirësi të mëdha e ku zgjedhjet e fundit parlamentare ajo u përfaqësua vetëm me një deputet.

Tomori ishte votuar masivisht në Tiranë dhe logjikisht pritej që ai të ishte ndër emrat e parë për listën e Tiranës nga PD-ja, por lëvizja e Bashës i ka mundësuar të paktën atij një vend të sigurt për qarkun e Beratit.

Alizoti me profesion pedagog që vitet e fundit është marrë edhe me analiza në shtyp. Ai është angazhuar me PD-në, është anëtar kryesie i partisë, por nuk ka as fare eksperiencë në drejtim fushatash elektorale, ndërsa do të duhet të përballet me njeriun “e regjur” në atë qark Blendi Klosi dhe Nasip Naçon që deri zgjedhjet e fundit militonte për LSI-në.

Ndërkohë është zyrtarizuar edhe emri i Xhelal Mziut në qarkun e  Dibrës. Mziu largohet nga Kamza, aty ku ai ka fituar tre mandate si kryetar bashkie dhe ka ruajtur “hambarin” e votave për PD-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë