Nga data 22 janar deri më 26 janar priten rrebeshe shiu në të gjithë territorin e vendit.
Parashikimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar bashkitë dhe prefekturat të marrin masat në mënyrë që kjo situatë të mos i gjejë të papërgatitur.
“Sipas informacioneve të IGJEUM dhe SHMU intensiteti i reshjeve pritet të shkojë deri në 230mm/24 orë në zona të caktuara, si Qarqet veriore Shkodër, Kukës, Dibër, pa përjashtuar qarqet e tjera”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Duke qenë se këto reshje, mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të lumenjve kryesorë si Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani dhe në veçanti të baseneve të Drinit, me pasoja të mundëshme në përmbytje, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civili thotë se kërkon nga pushteti vendor intensifikimin e punës për vënien në gatishmëri të strukturave operacionale vendore dhe qendrore.
Po ashtu AKMC sugjeron marrjen e masave nga strukturat përgjegjëse për planifikimin dhe parapërgatitjen duke parashikuar, në rast se do të jetë e nevojshme, evakuimin dhe akomodimin e personave, si dhe të gjësë së gjallë.
“Në shkresën dërguar këtyre institucioneve vendore AKMC u kërkon gjithashtu të organizojnë dhe të drejtojnë punën për inspektimin në vend të gjendjes së objekteve të infrastrukturës, të mjedisit, të gatishmërisë teknike të mjeteve, si dhe gjendjen e rezervave për të përballuar situatat që mund të krijohen”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.